Çështja e të pagjeturve është urgjente, tha Thaçi

10.11.2016 19:24:36

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në një takim të përbashkët përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve të komunitetit shqiptar dhe atij serb. 

Në këtë takim të përbashkët është biseduar për domosdoshmërinë e një zgjidhjeje sa më të shpejt për çështjen e të pagjeturve.

“Çështja e të pagjeturve është më urgjentja dhe kërkon hapa konkretë të menjëhershëm”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka falënderuar përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve të dy komuniteteve për gatishmërinë e tyre për t’u takuar dhe për të punuar së bashku për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

“Ju përgëzoj për gatishmërinë për të punuar së bashku për këtë çështje kaq të ndjeshme”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se çështja e të pagjeturve është çështje humanitare.

“Politika duhet të ndihmojë në mbylljen e këtij kapitulli të dhimbshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë takim është thënë se çështja e të pagjeturve duhet të shtrohet sa më shpejt në nivelet më të larta edhe në Bruksel.

“Duhet të shtrohet në nivelet më të larta, edhe në Bruksel, si një temë që nuk pret më”, përfundoi presidenti Thaçi.