Detaje të reja nga sulmi i tmerrshëm në Muenster të Gjermanisë

07.04.2018 19:05:26
Të paktën tre persona janë vrarë, pasi një furgon ka goditur turmën në qytetin perëndimor, Muenster të Gjermanisë, ka njoftuar Ministria e Brendshme.

Zëdhënësi i Policisë, Andreas Bode u ka thënë gazetarëve se shoferi i makinës e ka vrarë vetes, pas përplasjes me turmën.

Ai ka thënë se ende nuk dihet identiteti i të dyshuarit dhe ka shtuar se është ende herët të spekuluar për motivin e këtij sulmi.

Policia ka thënë se disa objekte të dyshimta janë gjetur në furgon, por ende janë duke i ekzaminuar për të parë nëse këto objekte janë të rrezikshme.

Policia lokale ka shkruar në Twitter se zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit, në mënyrë që makinat dhe ekipet e emergjencës të mund t’iu dalin në ndihmë të lënduarve.

Sipas edicionit online të revistës Spiegel, autoritetet gjermane “dyshojnë” se ky incident është sulm, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Ndërkaq, Bild më herët ka raportuar se tre persona kanë humbur jetën në këtë incident.

Ulrike Demmer, zëdhënëse e kancelares, Angela Merkel ka thënë se “medimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”.

Demmer ka shkruar në Twitter se ky është “një lajm i tmerrshëm”.