Dhjetë vjet Pavarësi/ Urime Kosovë! Urime qytetarë të Republikës së Kosovës! Urime shqiptarë kudo që jeni!

16.02.2018 18:30:57

Të festojmë me takat, të urojmë sa mundemi, sa më unikë e duke shtrëguar duartë e afërsisë e të solidaritetit!

Nga Jusuf M. Bytyçi

Prishtinë, 16 shkurt

Jo se ka ndryshuar për të mirë klima politike-institucionale, edhe në gjysmën e parë të muajit shkurt, muajit kur Kosova e shënon përvjetorin e Pavarësisë (kësaj radhe shënon dekadën e parë të shtetësisë), festa duhet të na bashkojë! Për një ditë së paku duhet t’i lëmë mëritë-inatet dhe shqetësimet si pasojë e mungesës së rezultateve të pritshme për ngritjen e mirëqenies qytetare! I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për atmosferën ende mjaft shqetësuese politike në vend, si pasojë e mashtrimeve politike, premtimeve të papërmbushura nga ata që tash janë në pushtet (ka pakënaqësi qytetare), uroj t’i lëmë mënjanë teket, inatet, si dhe “zotimet” apo premtimet për diçka tjetër, për një lloj festimi tjetër fare. Uroj që Ditën e shtunë, më 17 Shkurt, ta kalojmë si është më së miri! Me këtë rast, uroj që të festojmë sa më unikë, me takat, të urojmë e të solidarizohemi sa të mundemi. Duke besuar se Dita e shtune e 17 Shkurtit të kalojë sa më mirë, tamam në atmosferë feste e me urime të ndërsjella, do të kujtoja të kaluarën tonë si popull që kemi vuajtur nën regjime, pushtete totalitare-komuniste dhe nën okupimin e gjatë serbo-sllav. Pavarësisht nga rrethanat e rënda, ne kemi ditur, kemi mundur dhe kemi arritur të festojmë festën kombëtare të Flamurit shqiptar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Kemi festuar në vitet 90-ta edhe 2 Korrikun e 7 Shtatorin. Uroj që të kremtojmë të gëzuar, qetësisht, pa tensione, të bashkuar dhe duke shtrënguar duartë e bashkëfestimit, bashkëndjenjës së festës, që Përvjetori i dhjetë, të jetë vërtet sa më madhështor e për lakmi. Të tregohemi sa më të pjekur, me kulturë, me dinjitet dhe sa më të përgjegjshëm, ani se kemi mjaft telashe e përballje, qoftë ekonomike-sociale në Kosovën me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon, si dhe ballafaqime me gjendjen jo stabile e jo të favorshme politike-institucionale, si pasojë e dështimit të klasës politike- liderëve institucionalë për premtimet e tyre për hapjen e vendeve të reja të punës, për liberalizimin e vizave, lëvizjen e lirë, luftimin e korrupsionit, mundjen e varfërisë dhe progresin e pritshëm në shtetin tonë! Duke uruar nuk do të thotë, se do të harrojmë edhe hallet me të cilat përballemi për afër dy dekada të pas luftës dhe një dekadë nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës! Pavarësisht nga problemet, nuk guxojmë ta rrezikojmë imazhin festiv, traditën e festimeve, s’guxojmë ta prishim festën, absolutisht! Të gjithëve ju uroj Festën-17 Shkurtin-Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë, ju uroj që të keni shëndet, mirëqenie e begati familjare, si dhe mundësi sa më të mira për realizimin e synimeve dhe të dëshirave jetësore!

URIME 17 SHKURTI- FESTA E PAVARËSISË SË KOSOVËS!