Dhurata Hoxha: MD e përkushtuar në luftë kundër korrupsionit

Dhurata Hoxha: MD e përkushtuar në luftë kundër korrupsionit

08.12.2016 15:36:06

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka marr pjesë në Konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane. Të pranishëm në këtë Konferencë ishin edhe Drejtor i USAID-it, Hope, Shef i Sektorit Politik nga zyra e BE-së,  Gnocchi dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore. 

Angazhimi kundër kësaj gangrene që rrënon parimet e një rendi demokratik, sot thuajse është bërë një detyrë imperative që derivon nga sensi historik dhe “fryma e kohës” ku qenësojmë politikisht. Sepse siç ka thënë me të drejtë presidenti Obama, sot “historia e ka anën e saj të drejtë dhe të gabuar”. Në anën e drejtë të saj qëndrojnë ata që sot angazhohen për ta luftuar këtë të “keqe universale” kurse në anën e gabuar të historisë qëndrojnë ata që e mbështesin dhe e afirmojnë këtë kategori me pasoja fatale për një shoqëri.

Duke punuar të gjithë së bashku, me një vendosmëri qytetare dhe politike në luftën kundër korrupsionit, e demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj kësaj përgjegjësie historike dhe standardeve globale që i definojnë vlerat demokratike si dhe kriteret juridike të një shteti ligjor.  Të nxitur për veprim politik dhe shoqëror nga këto principe universale, ne mund të bëhemi shtylla për ndërtimin e një rendi të lirë dhe demokratik ku nuk duhet të ketë strehë për të korruptuarit. “Që shteti ynë të funksionojë sipas standardeve të mirëfillta demokratike, që të jetë në mesin e atyre vendeve që dallohen pikërisht nga aftësia për të ofruar një cilësi qeverisëse, që do të ishte në shërbim të të gjithëve, me zero tolerancë ndaj korrupsionit, na nevojiten masa efektive e konstante, dhe në cilësinë e ministres së Drejtësisë, kam marrë masa të menjëhershme për rivlerësimin e infrastrukturës ligjore që mbulon këtë sferë, si dhe kam iniciuar procesin e plotësim-ndryshimit të një sërë ligjesh”, tha Ministrja Hoxha.

Pasi janë dëgjuar edhe rekomandimet e shoqërisë civile, në kuadër të kësaj strategjie, Ministrja Hoxha ka iniciuar procesin e plotësim ndryshimit të kodit të procedurës penale, si dhe plotësim ndryshimin e ligjit për konfliktin interesit, përmirësimin e të cilit e ka vlerësuar si nevojë imediate, për shkak të rëndësisë që ka në definimin e qartë të raporteve ndërmjet interesit publik dhe privat. Dallim ky që mbetet vital për ndërtimin e një rendi demokratik, që ka për qëllim primar përkushtimin e zyrtarëve shtetëror në mbrojtje të interesit publik kolektiv.