Eposi i kreshnikëve dhe UNESCO

30.10.2016 15:09:49

Katër vite punë iu janë dashur një komisioni në krye me studiuesin Zymer Neziri, për të mbledhur dëshmi rreth 6 mijë faqesh dhe një dokumentar për Eposin e Kreshnikëve

Profesor Neziri thotë se kjo është ndërmarrja më e madhe pas luftës në Kosovës e këtij lloj studimi. Sipas tij, Eposi i Kreshnikëve është një nga njësitë më të rrezikuara. Derisa në Evropë ekziston vetëm në libra, tek ne janë edhe në libra, por edhe të gjallë.

“Janë mbi 200 që kemi gjetur gjatë hulumtimit në Ballkan”, thotë Neziri.

Kur është bërë dorëzimi i përmbledhjes në Qeverinë e Kosovës, kjo e fundit kishte deklaruar se do të presë derisa të anëtarësohet Kosovë në UNESCO, për ta dërguar dosjen si vlerë e trashëgimisë botërore.

Kosova dështoi në përpjekjen e parë për t’u anëtarësuar në UNESCO, ndërkaq tashmë kanë filluar përgatitjet për tentimin e dytë.

Zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj, para pak ditësh ka deklaruar se Qeveria është duke u koordinuar me institucione të brendshme, për ta përgatitur dosjen legjislative dhe strategjike.

Murtezaj nuk është përgjigjur në pyetjet e lajmi.net nëse do ta përdor edhe Eposin e Kreshnikëve për ta bindur UNESCO-n që ta pranoj Kosovën në mesin e saj.

Neziri thotë se komisioni tashmë e ka kryer punën e tij dhe kjo mbetet punë e shtetit.

“UNESCO nuk është me shkua në Paris me këqyr futboll. Atje duhet me dërgua vlera sepse këto janë rregullat. Qëndrimet e tilla të Qeverisë nuk i lëviz vetëm një komision, por megjithatë është bërë punë e madhe dhe kemi ofruar dëshmi sepse në UNESCO do të kërkohen dëshmi”, deklaron Neziri për lajmi.net

Ai shton se Eposi është vetëm një dosje që mund të dërgohet, por duhet të punohet që të dërgohen edhe dosje të tjera sepse Kosova ka edhe vlera të tjera.

“Ka pas mundësi me u krijua edhe dosje të tjera, por Qeveria nuk ka sinjalizua asgjë në këtë drejtim. Madje as për këtë rast, por këtë e kemi nis në Institut së bashku me Tiranën.

Është mëkat, e vetmja kulturë që e kemi ne që hyn në radhën e njësive më të mëdha të Evropës. Ka popuj me 100 milionë, por nuk e kanë këtë folklor sot. Sikur ta kishin, mendoj se do të paguanin me gjithçka”, shton profesor Neziri.

Ai thotë se përveç Eposit mund të dërgohet edhe xhubleta, vaji i burrit ose gjëma, pastaj kanuni, veshjet e rajoneve të ndryshme, vallet e të tjera.