Erdogan: Do të vazhdojmë luftën kundër terrorizmit

01.01.2017 11:27:01

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, duke dënuar sulmin terrorist të ndodhur në një klub nate në Stamboll,ka ngushëlluar familjarët e të vrarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ata të cilët kanë vënë në shenjestër qetësinë e popullit tonë dhe ata të cilët punojnë për ta, mundohen që përmes sulmeve të poshtra terroriste të destabilizojnë vendin, të prishin moralin e popullit dhe të krijojnë kaos. Por, ne si popull do të ruajm gjakftohtësinë, do të bashkohemi dhe nuk do të lejojmë kurrë lojëra të tilla të shpifura”, tha Erdogan.

“Ngushulloj familjarët e dëshmorit tonë dhe të rënëve të tjerë. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për miqtë e huaj që humbën jetën në këtë sulm të poshtër. Uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”.

Erdogan ka thënë se lufta e Turqisë kundër terrorizmit do të vazhdojë.

“Turqia e cila vazhdon luftën kundër terrorizmit është e vendosur të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për rajonin. Jemi të vetëdijshëm se sulmet terroriste që ndodhin në vendin tonë nuk janë të ndara nga ngjarjet që ndodhin aktualisht në rajon”, tha ai.

Në vijim ai theksoi se Turqia është shumë e vendosur për të zhdukur njëherë e përgjithmonë terrorin në vendin ku ai ka rrënjët.

“Çdo shpirt që humbim në këtë proces, bashkë me dhimbjen, na shton edhe dëshirën për luftë kundër terrorizmit. Si vend dhe si popull do të vazhdojmë me vendosmëri në luftën kundër terrorizmit, kundër sulmeve të tyre të armatosura, ekonomike, politike dhe sociale. Sulmi terrorist në Stamboll ka treguar edhe njëherë se terrori ka vetëm një synim, atë të derdhjes së gjakut. Unë ngushulloj edhe njëherë familjarët dhe të afërmit e të ndjerëve si dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve”, ka thënë presidenti Erdogan.