Ervin Salianji i prish videon Ramës dhe kap “peshkun e madh”

01.02.2018 16:33:59

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka qenë protagonist në seancën plenare të ditës së sotme, ku fryma e opozitarizimit ka qenë në maksimum. Në momentin që kryeministri Rama po filmonte protestën e opozitës në foltore, Salianji ia ka prishur planet, duke “e përshëndetur” siç tha si me gishtin e mesit. Por “aksioni” i Salianjit nuk ka përfunduar këtu.

Pas pushimit prej 20 minutash pas bllokimit të foltores së parlamentit ka dalë para gazetarëve me një peshk të madh në duar.

Salianji ka deklaruar se në shenjë simbolike për arrestimin e politikanëve të korruptuar ose siç ai i quan peshqit e mëdhenj ka zgjedhur të marrë këtë peshk në Parlament për t’ia dhënë kryeministrit por nuk është lejuar nga garda.

Deputeti demokrat u shpreh se i vetmi peshk që është kapur është ky që ai ka në duar dhe jo politikanët e përfshirë në korrupsion.

“Sot është data 1 shkurt, ka kaluar janari dhe i vetmi peshk i madh që është kapur është ky që e kam kapur unë. Për të gjithë qytetarët shqiptarë unë i kam justifikuar paratë e taksave të tyre.

Tentova ta fus në parlament për t’ia dhënë kryeministrit në mënyrë simbolike, por punonjësit e gardës më thanë që këtu lejohen vetëm peshkaqenët. Peshqit e mëdhenj nga Tahiri te Nazer Seiti, kurse peshkaqenët janë të gjithë këtu”, u shpreh Salianji.