Franca dhe Britania e Madhe kërkojnë sanksione të reja kundër Sirisë

22.12.2016 14:33:59

Franca dhe Britania e Madhe do të paraqesin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë që ndalon shitjen e helikopterëve Sirisë dhe vendosjen e sanksioneve lidhur me armët kimike.

Dokumenti parashikon veçanërisht ngrirjen e të ardhurave dhe ndalimin e hyrjes kundër katër zyrtarëve sirianë dhe gjashtë entiteteve duke përfshirë një qendër siriane kërkimesh lidhur me zhvillimin e armëve kimike.

Në kuadër të projektit, vendet anëtare të OKB-së do të pengojnë furnizimin, shitjen apo transferimin e drejtpërdrejtë apo indirekt ushtrisë apo qeverisë siriane të helikopterëve apo materialeve të asociuara të tilla si pjesët e këmbimit.

Një votim do të zhvillohet javën e ardhshme.

Diplomatët kanë nënvizuar gjithashtu se Rusia, aleate e Sirisë do të vendosë veton për këtë projektrezolutë.

Që prej fillimit të krizës siriane, Moska ka përdorur gjashtë herë veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar projektrezolutat përkatëse për sa i përket kësaj çështjeje.