François-Henri Désérable, në një rrëfim shqiptar

08.06.2018 23:42:18

Fransua Henri Dezerable shkrimtari i njohur francez do të jetë në një bashkëbisedim me lexuesit shqiptar më 11 qershor ora 17.00 në sallën franceze në Bibliotekën Kombëtare. “Njëfarë Z. Piekyelny” është libri i tij i ardhur në shqip nën përkthimin e Urim Nerguti e botimet « Buzuku ». Fransua Henri Dezerable ka lindur në qytetin e Amiensit në Francë në vitin 1987 dhe parapëlqen ta prezantojë veten si shkrimtar dhe si lojtar i dikurshëm i hokejit, përvojë që e lidh edhe me shkollimin e tij të mesëm në Minesota, SH.B.A.

Por studimet e larta i vijoi në studime gjuhësore dhe drejtësi në universitetet franceze të Pikardisë dhe më pas të Lionit, ku dhe nisi përgatitjen e një teze doktorale të cilën e ndërpreu me qëllim që t’i kushtohej tërësisht letërsisë. Teksa spikati si një penë premtuese me një novelë kushtuar vdekjes së Dantonit në një nga konkurset për shkrimtarë të rinj në gjuhën frënge gjatë vitit 2012, ai botoi në vitin 2013, në shtëpinë botuese prestigjoze «Gallimard» librin «Tu montreras ma tête au peuple » (Tregoja kokwn time popullit), një rrëfim mbi çastet e fundit të jetës së figurave të mëdha të Revolucionit Francez, duke u vlerësuar me çmim nga Akademia Franceze dhe nga çmimi letrar Vokacion.

Në vitin 2015, i mbështetur në punën kërkimore edhe nga Fondacioni Lagardèr, ai boton « Évariste », një biografi romanore mbi matematikanin gjenial Évariste Galois, i vrarë fatalisht në duel në moshën 20 vjeçare. I konsideruar si « ngjarja letrare » e vitit 2015 në Francë, ky roman u përzgjodh për shumë çmime letrare ndër të cilat përmendim çmimin Francë Kulturë -Telerama, çmimin e madh RTL-Lexoj dhe së fundi u vlerësua me çmimin e Lexuesit të L’Express–BFMTV si dhe tw shkrimit biografik. Romani i tij i tretë, « Njëfarë z. Piekielny », botuar në vitin 2017, është përzgjedhur si kandidat për çmimet më prestigjoze të letrave frankofone, si «Çmimi Renaudot » 2017 dhe « Çmimi Goncourt » 2017.