“Gazetari” i lajmeve të rreme në Facebook: “Mendoj se, prej meje Donald Trumpi shkoi në Shtëpinë e Bardhë”

18.11.2016 13:13:43

Çfarë kanë të përbashkët lobi Amish, furgonët e dasmave të homoseksualëve dhe ndalimi i himnit kombëtar? Sa për fillim, janë të gjitha sajesa – dhe të shpikura nga i njëjti njeri.

Paul Horner, sipërmarrës 38-vjeçar i një perandorie të lajmeve të rreme në Facebook, e ka nxjerrë jetesën duke shpërndarë lajme të rreme, rrengje e marrina, prej disa vitesh.

Ai ka bindur dy herë Internetin, se është artisti britanik i grafitit, Bansky. Ishte ai që botoi vitin e kaluar edhe lajmin e rremë të padisë Yelp kundër “South Park”, lajm i cili u përhap me shpejtësinë e erës.

Por në muajt e fundit, Horner ka zbuluar se ekosistemi i lajmeve të rreme është populluar edhe më shumë, është bërë më politik dhe me më shumë influencë: në mars, biri i Donald Trumpit, Eric, si dhe menaxheri i fushatës së tij në atë kohë, Corey Levandovski, hodhën në Twitter linqe që të shpinin në një prej artikujve të gënjeshtërt të Hornerit. Lajmet e tij janë shfaqur edhe në rubrikën e lajmeve të Google.