Giampero Ventura rrëfen të vërtetat: Gjithçka mori fund atë ditë!

28.05.2018 16:11:18

Pak më shumë se një muaj më parë, Giampero Ventura, kishte lajmëruar se do të rrëfente të vërtetën e tij, atë që kishte lidhje me dështimin e bujshëm të Italisë në fazën kualifikuese të Rusi 2018. Çfarë i ndohi grupit të të kaltërve dhe si ka qenë e mundur që katër herë kampionët e botës janë eliminuar nga Suedia? Ish-trajneri i Italisë është shfryrë gjatë emisionit “Che tempo che fa”, duke zbuluar disa prapaskena që kanë pasur lidhje me fazën e fundit të eksperiencës së tij me “axurrët”.

Gjithçka ka ndryshuar pas disfatës së pësuar kundër Spanjës, me trajnerin që e ka ndier vetën të braktisur nga Federata Italiane e Futbollit. “E dinim se do të kualifikohej vetëm një skuadër dhe ne ishim në një grup me Spanjën. Kemi shkuar në përballjen direkte në gjendje të mirë, me vetëdijen se duhej t’i mundnim për t’u kualifikuar ose për të shkuar në play off. Kemi humbur sepse Spanja ishte më e fortë. Një minutë pas asaj humbje të gjithë kanë kërkuar dorëheqjen time dhe ky qëndrim ka kushtëzuar ecurinë”.

Gjithsesi, Ventura ka pranuar të vazhdojë përpara. Por marrëdhënia me tifozët është prishur përfundimisht pas barazimit të marrë në shtëpi kundër Maqedonisë. Një rezultat ky që e ka shtyrë të japë dorëheqjen: “Një nga gabimet e mia të shumta ka qenë ai që qëndrova, duke menduar se ishim të pamposhtur (para Spanjës), por dëshira për të drejtuar kombëtaren ka qenë më e fortë”.

“Kam gabuar që nuk kam dhënë dorëheqjen pas ndeshjes me Izraelin: stadiumi ka filluar të vërshëllejë pas 10 minutash lojë dhe nëse publiku del kundër në një ndeshje kualifikuese për Botërorin, do të thotë se ka diçka që nuk shkon. Kam dhënë dorëheqjen pas ndeshjes tjetër, atë kundër Maqedonisë. Kam thënë se nuk ishte më e mundur të vazhdohej përpara, se ishte më e drejtë që dikush të sillte pak qetësi brenda një ekipi me shumë të rinj që sapo ishin bërë pjesë e kombëtares. Por dorëheqja ime nuk është pranuar”.

Dorëheqje që dot kishte ardhur, gjithsesi, edhe nëse Italia do të kishte fituar ndj Suedisë dhe të kishte siguruar një vend në Botëror” “I kisha thënë stafit tim se pas ndeshjes me Suedinë, edhe në rast kualifikimi, do të isha larguar për të mirën e kombëtares. Kisha organizuar edhe një konferencë për shtyp. Ka patur shumë fajtorë në play off, por vetëm unë jam përmendur. U bëra simboli i gjithçkaje që nuk shkonte mirë në futbollin italian”.

“Më vjen shumë keq, sepse unë kisha besim dhe kam hequr dorë nga shumë gjëra për kombëtaren. Deri para ndeshjes me Spanjën kishte një entuziazëm të madh rreth nesh. Ka mjaftuar një humbje për të ndryshuar gjithçka”.