Haxhi Bajraktari organizues i demostratës më 8 tetor 1968 në Suharekë (Therandë)

30.08.2020 11:05:17

 

Nga Naxhije Doçi 

(MADHËSHTI E PAPARË NË SUHAREKË QË NGA LUFTA E DYTË BOTËRORE)

        -Kujtim krenarie për Haxhi Bajraktarin në 4 vjetorin e vdekjës

Haxhi Bajraktari, profesor, është i lindur në Therandë (Suharekë), më 1948 në një familje të njohur atdhetare. Babai i tij, Zekë Bajraktari, ishte luftar i vitit 1943-44 për lirinë e tokave shqiptare, ndërsa nga viti 1948 ishte anëtar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare-Grupi i Lidhjes së Prizrenit. ONDSH-ja – GLP ishte një oraganizatë politike që kishte për qëllim përgatitjen për luftë të shqiptarëve të Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare në ish Jugosllavi, për t’u çliruar nga pushtuesi serbo-sllav.

Demonstratat e vitit 1968 ishin gurthemeli i përpjekjeve të shumta të shqiptarëve të Kosovës për ta bërë shtetin e tyre, për ta bërë Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, me përpjekje të vazhdueshme edhe të pranimit ndërkombëtar të saj si shtet.

-Demonstratat e shtatorit të vitit 1968 ishin organizimi i parë  i shqiptarëve të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, për ta kundërshtuar pushtuesin serb në Kosovë. Këto demonstratat në Therandë i kishte organizuar Haxhi Bajraktari nga Theranda. Haxhiu nuk ishte caktuar rastësisht si bartës kryesor i organizimit të kësaj demonstrate në Therandë, nga se ai rridhte nga një fmilje e njohur për veprimtari atdhetare prej kohësh, me theks të veçantë që nga koha e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, e edhe më heret. Babai i Haxhiut, Zekë Ibrahim Bajraktari, atdhetar i përkushtuar i Orgazizatës Nacional Demokratike Shqiptare, më 1950 pushtuesi barbar serb në Kosovë dhe konkretisht UDB-ja shfarosëse serbe e burgosin duke e dënuar me 17 vjet burg të rendë.           Në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, kur Kosova ishte thellësisht e dërmuar nga pushtuesi barbar serb, burgosja e burrave të Familjes Bajraktari të Therandës ishte bërë  në vazhdimësi.

Pas diplomimit në Shkollën Normale të Prizrenit, në shtator të vitit 1968, pasi nuk pati kurrëfarë mundësie për të siguruar një burs për të studiuar në fakultet, Haxhi Bajraktari punësohet në shkollën fillore në katundin Nishor të Therandës. Punës ia kishte filluar me një vullnet të madh, sepse e kishte pasur edukatë familjare një dhunti të tillë. Në shkollën fillore të Nishorit Haxhiu do të njoftohet, ndër të tjerë, edhe me arsimtarin Isa Morina nga Kamenica e Dardanës (Kamenicës), që ishte asokohe edhe student në Shkollën e lartë Pedagogjike në Prizren. Haxhiu duke ndenjur me Isa Morinën, i kishte rënë që të takohej me studentët e SHLP në Prizren si, Isa Demaj, Zymer Neziri nga Komuna e Pejës, si edhe me Meriman Brahën nga Prizreni. Në bisedë e sipër Haxhiu kishte dëgjuar se studentët e SHLP-së të Prizrenit kishin përgatitur prej kohësh një demonstratë masovike në Prizren, për të shprehur pakënaqësinë kundër dhunës dhe padrejtësive të mëdha që bënte pushtuesi serb kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Kishin demonstruar për flamurin kombëtar shqiptar me ngjyrë të kuqe me shkabën e zezë dykrenare në mes, që shqiptarët e Kosovës e kishin pasur të ndaluar që ta kishin zyrtarisht e edhe ilegalisht. Ata shqiptarë që ishin zbuluar nga UDB-ja serbe se mbanin në shtëpitë e tyre flamurin kuq e zi, dënoheshin me burgje të rënda.

Haxhi Bajraktari i frymëzuar nga idetë e studentëve të SHLP-së të Prizrenit, por edhe i propozuar nga ata, që ai të ishte organizatori i demonstratave në Suharekë, do të shkojë menjëherë në Therandë që të bisedojë me babain e tij, Zekë Bajraktarin. Se si i ishte bërë zemra mal Zekë Bajraktarit, kur kishte dëgjuar mendimin e të birit krenar për angazhim organizativ për çështje madhore kombëtare dhe për vullnetin e shprehur që pikërisht ai të ishte organizatori i demonstratës në Suharekë. Kjo është madhështi, është krenari kur tradita atdhetare e familjes vazhdon, kishte thënë më vete Zekë Bajraktari.

Haxhi Bajraktari – foto 2008 në njëzetvjetorin e demonstratave të vitit 1968 në Suharekë (Therandë)

 

-Djali im, organizimi i demonstratës në Suharekë duhet të bëhet me kompetencë dhe me vullnet të madh dhe kjo le të ndodhë sa më shpejt! – I kishte thënë Haxhiut Zekë Bajraktari. Në përkrahje dhe në favorizim të propozimit të Haxhiut kishin qenë edhe xhaxhai Jashari, si edhe kushëriri, Destan Bajraktari. Të gjithë në Familjen Bajraktari i kishin thënë se ne pajtohemi për të demonstruar dhe se të gjithë do të jemi pas teje.

 

I entuziazmuar për përkrahjen e babait dhe të krejt Familjes Bajraktari, Haxhiu kishte shkuar pastaj edhe në shkollën fillore të Suharekës së atëhershme, ku në vitin 1967 kishin filluar së funksionuari paralelet e ndara të shkollës së mesme të Prizrenit, e ndër to edhe paralelet e ndara të Shkollës Normale të Prizrenit, që përgjegjës për këtë të fundit kishte qenë kushëriri i parë i tij, Isak Bajraktari-Prof.

-Do ta organizojmë një demonstratë në Suharekë dhe demonstrimi do të fillojë pikërisht nga oborri i shkollës! – i kishte thënë Haxhiu Isak Bajraktarit.

Haxhiu me Isakun ishin marrë vesh që demonstrata të fillonte më 8 tetor1968, në orën 12, dhe që të gjithë nxënësit të dilnin të organizuar. Ishte vendosur edhe që në demonstratë të brohoriteshin parullat: –“Republikë – Kushtetutë!”, “Duam Universitet në Prishtinë!” dhe “Rroftë flamuri ynë kombëtar-Kuq e Zi!”. Përgatitja e flamurit kuq e zi i ishte besuar Haxhi Bajraktarit, nga se ai prej kohësh ishte dalluar si një artist i zoti në pikturim. Haxhiu do ta merrë përsipër detyrën me përkushtimin më të madh dhe do të punojë gjatë gjithë natës së 7 tetorit 1968, për ta vizatuar me ngjyrë të zezë (me tush) shqiponjën dykrerëshe në pëlhurën e kuqe. Në aspektin teknik e kishte ndihmuar edhe e motra, Fatimja, ndërsa shtizën e flamurit ia kishte punuar zdrukthtari therandas Bajram Gashi.

Kur kishte shkuar Haxhiu në orën 11-30 minuta para shkollës fillore në Suharekë, nxënësit veç i kishte gjetur të rreshtuar për të dalë në demonstratë. Bërja e nxënësve rresht kishte qenë angazhim i Isak Bajraktarit, ndërsa pranë nxënësve kishin qenë edhe mësimdhënësit të tjerë, ndër të cilët edhe Ramadan Shala e Gani Bllaca.

Duke i shikuar nxënësit e rreshtuar, Haxhiu i ishte afruar njërit prej nxënësve, që kishte qenë i pari në radhë dhe që kishte qenë më i gjati me shtat prej shokëve, duke i thënë: A dëshiron që ta mbashë në dorë flamurin tonë kombëtar gjatë demonstrimit? Po, me kënaqësinë më të madhe! – i kishte thënë nxënësi Osman Gega nga katundi Sedençan i Therandës.

Nxënësit e radhitur me flamurin kuq e zi në ballë ishin nisur drejt qendrës së qytetit duke brohoritur parullat: “Rroftë flamuri kombëta!r”, “Kosova Republikë!”, “Republikë-Kushtetutë!” etj., dhe duke kënduar këngën “Besa-Besë!”. Një gjë e tillë i kishte entuziazmuar dhe njëkohësisht edhe emocionuar për së tepërmi banorët shqiptarë të Therandës. Me të marrë vetën nga befasia e tillë, që i kishte kapluar se, kishin kaluar vite e dekada që nuk e kishin parë asnjëherëë duke valuar flamurin shqiptar, njerëzit iu kishin bashkangjitur pa hezitim demonstruesve. Më 8 tetor 1968 kishte qëlluar edhe ditë tregu në Therandë dhe nxënësve demonstrues iu ishin bashkuar edhe të gjithë banorët e fshatrave, që kishin ardhur në qytet për ta bërë tregëtinë e javës. Tërë Theranda kishte ushtuar atë ditë nga kënga dhe nga brohoritja për Kosovën Republikë, për flamurin kombëtar. për kushtetutën, për univesitetin etj. Masa ishte shtuar në secilin minut, se njerëzit kishin ardhur nga fshatrat edhe posaqërisht për të demonstruar, nga se iu kishte shkuar lajmi si rrufe, se në Therandë po bëhej demonstratë. Demonstruesit i kishin vërshuar rrugët e qytetit të Therandës si një lumë i dalldisur që e shton ujin prej rrebeshesh të të reshurave të mëdha. Më të vjetrit kishin derdhur lotë gëzimi që i shihnin të bashkuar të gjithë shqiptarët e Therandës dhe që i shihnin se të gjithë ishin të një mendimi, që të demonstronin për ta pasur lirinë që iu kishte munguar me vite e me dekada.

Atë ditë organet e sigurimit sikur kishin qenë të bafasuara për demonstratën në Therandë. Nuk kishin mundur që ta merrnin me mendë se do të mund të ngjante një situatë e tillë, prandaj në fillim edhe nuk kishin ditur si të reagonin ndaj masës së qytetarëve që brohorisnin parulla atdhetare shqiptare.

Në sheshin e qendrës së qytetit demonstruesit ishin ndaluar dhe Haxhi Bajraktari kishte dalur para masës me flamurin kuq e zi në dorë dhe me zdërvjelltësinë e tij kishte hypur në shtyllën e telefonit, duke e gozhduar flamurin me çekanin që e kishte sjellë me vete Ymer Bytyçi nga katundi Nishor, me banim në Therandë. I hypur në shtyllë të telefonit, Haxhiu ishte përgatitur që ta lexonte edhe një fjalim të shkurtër para masës së demonstruesve, por nuk kishte arritur, sepse nga shtylla kishte parë komandantin e policisë me një kordonë policësh pas veti, që ishin nisur drejt flamurit. Në vend të fjalimit Haxhiu kishte brohoritur: “Rroftë flamuri i kuq me shkabën dykrenare në mes!”, dhe kishte zbritur menjëherë poshtë shtyllës pa i treguar masës se policët po vinin drejt qendrës së qytetit. Kishte qenë kënaqësi e jashtzakonshme për të gjithë qytetarët e Therandës atë ditë, që shihnin flamurin kombëtar. Të moshuarit e shihnin pas më se dy dekadash, ndërsa të rinjt flamurin kuq e zi e shihnin për herë të parë. Aso pamjesh të gëzueshme në Therandë nuk ishin parë që nga Koha e Shqipërisë.

Masa e intuziazmuar nga brohoritja e Haxhiut, kishte vazhduar ovacionet për flamurin, ndërsa ai ua kishte bërë me dije disa të moshuarëve të radhës së parë që të bëjnë një mur –kala në mbrojtje të flamurit nga policët sygjakosur. Mbrojtja ishte bërë në fillim nga të moshuarit e radhës së parë, e pastaj nga të gjithë demonstruesit dhe falë tyre policët nuk kishin mundur që ta rrëmbenin flamurin. Masa ishte vënë në mbrojtje të flamurit. Dhe ky kishte qenë qëllimi…!

Flamurin e shpëtuar nga policët dhe përkrahësit e tyre e kishte marrë në dorë Rrahman Kryeziu nga Theranda, i cili ishte nisur sërish dëfilimit rreth e qark Therandës dhe pas flamurit kishte shkuar masa duke brohoritur parulla dhe duke kënduar këngë edhe për dy orë të tjera.

Organizimi i demonstratave të vitit 1968 në shprehje të pakënaqësisë kundër makinerisë shtetërore serbe në Kosovë, kishte qenë një punë tepër e veështirë dhe shumë e rrezikshme edhe për jetë. Jehona e tyre ishte shumë e madhe, ndërsa ndikimi i tyre ishte megjithatë i dukshëm. Pak ditë pas demonstratave të 8 tetorit 1968, në Therandë filluan që të bëheshin dasmat e para me flamur kombëtar. Kishin filluar që t’i gëzonin edhe disa të drejta të tjera.

(Fragment nga libri “Familja Bajraktari e Suharekës” – Naxhije Doçi – Prishtinë-2009)

Naxhije Doçi – Prishtinë

PËRKUSHTIMIN MAL ME BORË

        (Haxhi Bajraktarit)

 -Organizues i demostratës më 8 tetor 1968, në Therandë

Flamurtar në krah legjendash brumosur

Haxhi Bajraktari i Therandës trime

përkushtimin mal me borë

për bardhësi mbi nënqiellin e pafajësisë,

mbi Kosovën lashtësi e dëshmuar

melodi ekomponuar,

për liri të plotë dhe bashkim

fisin e plisin kurorë.

Guximtar me dehje pranvere

gjysma e dytë e shekullit njëzet

kohë hijenash gllabëruese ishte

për shqiptarët pellasdo-ilirë të dëlirë,

robëri e ngjizur me kapërthime trishti.

Në vitin e ndrydhur 1968

vrulli yt shëmbëllim i derdhur në Therandë

hapërim i parë urtësie

në shpalosjen e lirë të Flamurit Kuq e Zi,

madhështi e krisur në zbërthim të enigmës

në hapje shtigjesh të bardha,

gjurmë agmie në histori.

Që të mos pëlcas nga dhembja,

me ty sërish bisedoj lirshëm

si dikur kur qanim hallet prore

ulur bashkë në një bankë shkollore

për dallgët e përballjet e padrejta jetësore

në familjen tonë

që nuk na ndaleshin kurrë.

Vallë, si nuk t’u ndi kurrë zëri

nga sëmundja e rëndë që të kaplojë,

padrejtësi e zhveshur

do të thoshte secili.

Dhe për këtë sikur e di mirëfilli

se nuk kishe kohë për thyerje shpresash

as për besime të ikura.

nëpër udhët e jetës.

Ngazëllimi yt hirësi e mbarë

urtësi e kalitur në krah pulëbardhash në sogjim,

në gjasim të paraaedhësve ngadhnimëtarë

rrëzë Gardhinës plakë, perlë e ruajtur lashtësie.

Agmi e cemtë hovi yt krenar

ngrohtësi praruar me rreze dielli

për harkun ylberor mbi dheun arbëror

mbi Kosovën nuse e dalldisur

me shpresa të pashuara prilli.

Poezi nga libri “Vargëzim mbi gjurmë”-Naxhije Doçi-Prishtinë-2017