Hileja e Hashim Thaçit me të ashtuquajturën platformë për finalizimin e negociatave me Serbinë

05.06.2018 18:28:40

Nga Rexhep Kastrati

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka tërheqë të ashtuquajturën platformë për finalizimin e negociatave me Serbinë për hir të një konsensusi me të gjerë për të.

Fakti që këtë të ashtuquajtur platformë e ka tërheqë ministri i një ministrie që nuk ka të bëjë fare me çështjen e negociatave me Serbinë, tregon për trajtimin që kësaj të ashtuquajture platformë ia bëjnë vetë sponzorizuesit e saj, e në mënyrë të veçantë Hashim Thaçi.

Në fakt, kjo e ashtuqujtur platformë duket se ka pasur për qëllim që edhe formalisht të marrë miratimin e Kuvendit për përmbylljen e një procesi 20 vjeçar për ndarjen e Kosovës qoftë si “Republika Srpska”, qoftë si shkëmbim territorial, qoftë edhe si skenar ukrainas, si dhe për shpërndarjen e përgjegjësisë për këtë në bazë të të ashtuquajturës platfromë pesëpikëshe të Kadri Veselit.

Ashtu siç kam thënë edhe në një shkrim tjetër të sotëm, Hashim  Thaçi ka 20 vjet që ka marr përsipër të realizojë ndarjen e Kosovës dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të lejonte që të mos ishte në krye të këtij procesi.

Gjatë tërë këtyre viteve, nuk ka pasur një platfromë për negociata, por ka kryer punë në funksion të ndarjes së Kosovës në njërin nga tri variantet e përemndura më lartë. E vetmja platformë duket se është Memorandomi i dytë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, të hartuar nga Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq, më 2011, e që sa i përket Kosovës ka të bëjë me veriun e Kosovës, destabilizimin e saj dhe pamundësimin e funksionimit të saj si shtet.

Prandaj, me platformë apo pa të, me pëlqimin, apo pa pëlqimin e Kuvendit, Hashim Thaçi, duket se është i vendosur që ta përmbyllë këtë proces. Ai ishte shumë i qetë dhe i sigurt kur deklaroi se Kosova është gati për kompromise të tjera.

Cilat janë kompromiset?

  1. Asociacioni me kompetenca ekzekutive, pra një “Republika Srpska” në Kosovë, e që do të mundësohej me një pazar që serbët të japin konsensusin për ndryshime kushtetuese për transformimin e FSK-së në FA me ndryshime kushtetuese që do t’i jepnin Asociacionit kompetenca ekzekutive dhe kontroll mbi një strukurë ushtarake serbe në Kosovë.
  2. Nëse kjo do të ishte e pamundur të bëhet në rrugë institucionale, atëherë do të pasonte destabilizimi i vendit, tensionim i marrëdhënieve ndëretnike dhe si rezultat ndërhyrja e forcave serbe  gjoja për mbrojtjen e serbëve, por që do të ishte faktikisht aneksimi i veriut.
  3. Impakti i zhvillimeve të këtilla do të mund të implikonte edhe shqiptarët në Kosovë Lindore që do të kërkonin të bashkoheshin me Kosovën. Ky i ashtuquajtur shkëmbim territorial, do të ishte rehabilitues për Serbinë, për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, si dhe ricopëtim të territoreve shqiptare në Kosovë Lindore, pasi që përveçse Kosova do ta humbiste veriun, nuk do të mund të merrte të tri komunat shqiptare në Kosovë Lindore, pasi që pjesa më e madhe thuajse është spastruar, sidomos Medvegja.

Gjithsesi do të jenë interesante zhvillimet që do të pasojnë, sjelljet e partive politike, ndryshimet e qëndrimeve dhe në përgjithësi mënyrat se si do të vazhdojnë edhe negociatat në Bruksel dhe negociatat e hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin.