Hoxha kërkon përkrahjen e Polonisë në Këshillin e Ministrave për vizat

09.04.2019 11:55:12
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë Konferencës Globale Horasis, në Portugali, ka takuar Ministrin për investime dhe zhvillim të Polonisë, Jerzy Kwieciński.

Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth përkrahjes së këtij vendi për mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur çështjen e liberalizimit të vizave.

Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Hoxha, ka shkruar se çdo kufizim për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, është kufizim për arritjen e vlerave integruese të të rinjve, ekonomisë dhe vlerave tjera të BE-së për Kosovën.

Ky është postimi i plotë:

Në Konferencën Globale Horasis, në Lisbonë, takova personalitete të shquara të BE-së dhe vendeve mike si Z. Jerzy Kwieciński, Ministër për investime dhe zhvillim i Polonisë, nga i cili kërkova mbështetje dhe përkrahje në Këshillin e Ministrave, për të arriturat tona, konform udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Çdo kufizim për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, ceka në takim, është kufizim për arritjen e vlerave integruese të të rinjve, ekonomisë dhe vlerave tjera të BE-së për Kosovën, padrejtësisht e veçuar, padrejtësisht e penguar.