Imponimi i kontratave për konsumatorët, si mënyrë për të legalizuar vjedhjen nga KEK-KEDS-KESCO

10.10.2018 14:49:10

Privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elekrike është përcjellë me dyshime të forta për dallavere dhe mostransparencë. Le të kujtojmë se pjesë të kontratës së privatizimit të këtij rrjeti nga “Çalik – Limak”, janë bërë publike vetëm gjatë janarit të këtij viti, pra pesë vjet pasi që është privatizuar.

Kompania për shpërndarje të enegjisë elektrike që është krijuar – KEDS, që nga fillimi ka vazhduar një arrogancë të paparë ndaj qytetarëve, qoftë me qëndrimin ndaj tyre, qoftë me vjedhjet dixhitale dhe të tjera, qoftë edhe me monopolin si kompania e vetme e shpërndarjes, ka imponuar një formë të kamufluar dhe në dukje të parë edhe legale, kontratat me konsumatorët, e që në fakt janë forma perfide të vjedhjes dhe të legalizimit të vjedhjes.

Në dukje të parë, nënshkrimi i kontratave të konsumatorëve me KEDS është në përputhje me logjikën legale, por kur të kihen parasysh disa elemente të tjera, atëherë është e qartë se bëhet fjalë për një formë perfide të mashtrimit dhe të legalizimit të vjedhjeve.

Elementi i parë ka të bëjë me raportin që KEDS ka me borxhin që konsumatorët kanë nga koha para privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Me rastin e nënshkrimit të kontratës nga ana e konsumatorëve, u thuhet se po nënshkruajnë kontratë për borxhin që kanë ndaj KEDS-it, e jo edhe ndaj KEK-ut, ndërkaq, në faturën që i lëshohet konsumatorit figuron edhe borxhi ndaj KEK-ut.

Konsumatorët nënshkruajnë kontrata të tilla pa kërkuar sqarime dhe pa qartësuar marrëdhënien që KEDS ka me borxhin ndaj KEK-ut. Në këtë mënyrë konsumatorët mashtrohen dhe nënshkruajnë një dokument me të cilin legalizojnë dhe pranojnë edhe borxhin ndaj KEK-ut.

Borxhi ndaj KEK-ut është një borxh i krijuar artificialisht me ngarkesa dhe vjedhje të pastër, e që vërehen edhe në faturimin jashtëzakonisht të tepërt të rrymës.

Në këtë rast, konsumatorët do të duhej që të informoheshin se mbrapa nënshkrimit të një kontrate me KEDS-in për borxhin ndaj tij, fshihet edhe legalizimi i vjedhjes së bërë edhe nga KEK. E nëse kontratat për borxhin ndaj KEDS-it nuk përfshijnë borxhin ndaj KEK-ut, siç u thuhet konsumatorëve, atëherë nuk duhet të figurojë ai borxh në faturat e energjisë elektrike të lëshuar nga KEDS.

Elementi tjetër ka të bëjë me faktin se konsumatorëve u imponohet nënshkrimi i kontratave në kushtet e monopolit që KEDS ka si i vetmi operator për shpërndarje të energjisë elektrike, me çka është në kushtet e jokonukurrencës dhe të mundësisë për të caktuar edhe rrjedhat në këtë fushë.

Për ta kuptuar këtë më mirë duhet të marrim shembull rastin e telefonisë mobile, e cila kur ishte monopol i “Valës”, ishte shumë i shtrenjtë, por kur filluan edhe operatorë të tjerë, atëherë çmimi ra në mënyrë rapide.

Në rastin e energjisë elektrike, KEDS vazhdon të ketë monopolin dhe të diktojë dhe imponojë marrëdhënie të padrejta dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të lirisë së zgjedhjes nga konsumatorët të operatorit që ka dëshirë.

Përveç legalizimit të vjedhjes së bërë nga KEK, me imponimin e kontratave me konsumatorët, KEDS po legalizon edhe format e vjedhjes dixhitale të konsumatorëve qoftë me faktin se njehësorët dixhitalë, sipas informacioneve të bërë publike, faturojnë 30% më shumë se njehësorët analogë.

Një formë tjetër e pabarazisë së konsumatorëve në raport me KEDS-in, është edhe vendosja e njehësorëve në shtyllat e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, me çka konsumatori është i përjashtuar nga mundësia e përcjelljes së gjendjes faktike të njehësorit dhe të regjsitrimit të konsumit të energjisë elektrike.

E vetmja mënyrë e informimit të kosunmatorëve për tarifimin e energjisë elektrike është nëpërmjet faturës që merr nga 19-22 të muajit vijues, e që mund të mos e pasqyrojë gjendjen reale të konsumimit të energjisë elektrike.

Prandaj, është shumë e nevojshme, e domosdoshme dhe madje e detyrueshme ndrëhyrja e institucioneve të ndryshme që nga Prukuroria e deri te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të konsumatorit!