Inaugurohet fillimi i punimeve në rrugën transitit Shtime-Belincë

20.10.2016 14:37:27

Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë vizitoi Komunën e Shtimes, ku u prit nga kryetari i Komunës, Naim Ismajli, me të cilin bisedoi për infrastrukturën rrugore në këtë komunë, për arritjet e deritashme, projektet e reja infrastrukturore dhe për nevojat e komunës për vazhdimin e investimeve në këtë plan.

Pas takimit, ministri Zharku dhe kryetari i komunës, Ismajli, përuruan fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës Transiti i Shtimes-Belincë, projekt ky që financohet nga Ministria e Infrastrukturës. Kjo rrugë ka gjatësi prej 2.8 kilometrash, ndërsa vlera e kontratës për ndërtimin e saj kap shumën prej 886,676.01 eurosh.

Me rastin e inaugurimit ministri Lutfi Zharku deklaroi se  ndërtimi i këtij transiti do të ndikojë që qytetarët, të cilët vijnë nga vende të tjera të qarkullojnë nëpër një rrugë të mirë.

“Ne besojmë se ndërtimi i këtij transiti do të ndikojë që të lirohet komunikacioni, ndërsa në anën tjetër do të ndikojë që qytetarët, të cilët vijnë nga vende të tjera të qarkullojnë nëpër një rruë të mirë. Ne kemi në plan që të vazhdojmë edhe me investime të tjera në vitet në vazhdim. Sot biseduam edhe për plane dhe investime të tjera, të cilat edhe më tutje do të përkrahen pa rezervë nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Zharku.