Isa Mustafa: Propaganda kundër LDK-së dhe kundër meje ka për qëllim përçarjen e saj!

06.09.2018 15:24:19

Ish-kryeministri i vendit dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj të pavërtetave politike të thëna nga parti dhe medie të ndryshme në vend për tri çështje shumë të ndjeshme për vendin: për çështjen e Asociacionit, të vendeve të rezervuara për pakicat dhe për transfomimin e FSK-së në FA.

Në një postim në facebook, z. Mustafa ka sqaruar opinionin se vendimi për Asociacionin ka rezultuar nga Marrëveshja e Parë, pra nga Marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe nga ratifikimi i saj nga Kuvendi i Kosovës, e që e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur që Asociacioni të themelohet në bazë të parimeve të asaj Marrëveshje.

Lidhur me vendet e rezervuara, z. Mustafa ka thënë se LDK ka kundërshtuar vazhdimin e atyre vendeve pas konsumimit prej dy mandatesh, sipas Kushtettuës dhe Pakos së Ahtisarit, kurse anulimi i mëvonshëm do të ishte e pamundur sepse do të kërkonte dy të tretat edhe të pakicave.

Kurse lidhur me shndërrimin e FSK-së në FA, z. Mustafa thotë se mund të bëhet në bashkërendim me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në dhe e quan ironike ndërlidhjen e këtij procesi me vendet e rezervuara për pakicat.

Ky është postimi i plotë i z. Mustafa:

“Ditëve të fundit po zhvillohet një sulm i orkestruar ndaj LDK-së dhe ndaj meje si Kryetar i LDK-së. E di që ata kanë dëshirë ta përçajnë LDK-në sepse iu krijon problem për zgjedhje të reja. Por nuk munden, nga se po shërbehen me të pavërteta kurse opinion është ngopur me to.
E para. Dje thash se vendimi për Asociacionin ka rezultuar nga Marrëveshja e parë, të cilën e ka nënshkruar Hashim Thaçi dhe e ka ratifikuar Kuvendi. Edhe një ministër që bënte shumë zhurmë me të pavërteta për këtë çështje, por për të cilin më parë kam pasur përshtypje për një djalë të edukuar dhe të pjekur, dje e pranoi se edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Asociacioni duhet të themelohet bazuar në marrëveshjen e parë dhe të Ligjit mbi ratifikimin e kësaj marrëveshje, jo në dokumentin e parimeve që unë e kam nënshkruar. Atëherë nëse dikush e ka sjellë Republika Serpsken në Kosovë sipas tij, për çfarë unë mendoj se e ka gabim, do të ishte kjo marrëveshje e nënshkruar nga shefi i tij.

E dyta. LDK dhe unë publikisht e kemi kundërshtuar në vitin 2014 vazhdimin e vendeve të rezervuara për minoritetet në Kosovë dhe kemi kërkuar të veprohet sipas Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit, që këto vende pas konsumimit të tyre prej dy mandateve të kalojnë në vende të garantuara. Po të veprohej ashtu siç PDK dhe subjektet tjera kërkonin atëherë, çdo vend i fituar përmes zgjedhjeve në Kuvend do të ishte shtesë, përveç 10 vendeve të rezervuara komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera. Me këtë veprim sot Lista Serbe do të kishte mbi 15 deputet në Kuvend dhe pakicat do të ishin forca më e madhe politike në Kosovë, ku mbi 90% janë shqiptar. Kjo do të nënkuptonte Ahtisari plus, dhe një situatë që kurrë nuk do të arrinim ta ndryshojmë sepse nevojiten dy të tretat e dyfishta, e as serbet e as tjeret nuk do të votonin kundër vetvetes.
Është ironike të lidhet kjo me FSK-në dhe shndërrimin e saj në Forcë të Armatosur. Transformimi i FSK-së bëhet në bashkërenditje me partnerët tanë, NATO-n, SHBA-të dhe BE-në, jo me njerëz të Graçanicës dhe Shtërpcës, sepse për fat të keq ata, deshën apo jo, janë diktuar dhe diktohen nga Beogradi”, ka shkruar sot, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa.