Jeton Ramiqi, artisti me origjinë shqiptare flet për herë të parë për muzikën e tij

24.03.2019 03:02:56

Një artist i ri shqiptar, lindur dhe rritur në Zvicër, ka vendosur të marrë pjesë në tregun e muzikës shqiptare, Ai quhet Jeton Ramiqi dhe flet për Projektin e parë…

“Familja ime dhe shoqëria më e ngushtë më kanë mbështetur në projektin e parë, si për vendimin për t’u bërë këngëtar, gjithashtu për ide të ndryshme. I falenderoj të gjithë, sepse pa ta, nuk do të isha sot këngëtar,” shprehet Jetoni.

Më poshtë gjeni intervistën e zhvilluar me të.

Na tregoni pak për jetën?

Jeta ime ka qenë, ma merr mendja, si jeta e shumë fëmijëve emigrantë shqiptar. Filloi me vështirësi dhe pastaj mori një rrugë drejt lehtësimit.

Si ka nisur tek ju pasioni për Muzikën?

Muzika, gjithmonë, ka qenë për familjen time një pjesë e madhe. Nuk ka pasur ditë pa muzikë, sidomos muzika shqiptare. Muzika e lidhi jetën time të kurbetit me vendlindjen e prindërve të mi. Zvicra është një shtet me shumë të huaj, kështu që u takova me muzikë të ndryshme. Dashuria që kam për muzikën lindi që kur isha fëmijë e vazhdon edhe sot me këngët e mia. Si fillim, e kam mbajtur dëshirën për të bërë muzikë për vete, por pas ca kohësh, dëshiroja ta ndaja dhe me të tjerët.

Marrëdhënia juaj me këngëtarët e tjerë?

Nuk kam ndonjë marrëdhënie me këngëtarët e tjerë, sepse nuk njoh asnjë këngëtar personalisht. Por edhe unë kam këngëtar\e, që i adhuroj.

Muzika në sytë tuaj, biznes?

Muzika është kënaqësi, nuk krahasohet me punë të ndryshme.

Çfarë ju bën të ndiheni ndryshe?

Gjithë rruga, që kam kaluar në jetën time.

Ku e shihni veten pas 5 vitesh?

Të jem këngëtar, për t’i kënaqur zemrat e publikut.

Pyetja, që i bëni më shpesh vetes?

Cilin shtet do të vizitoj herën tjetër?

Kujtimi që ju ka ngelur në mendje dhe kurrë nuk fshihet nga aty?

Kujtimet janë me ne në çdo moment, nëse ato janë të rëndësishme. Nuk e di për ju, por unë dua t’ju përgjigjem me pyetje… A ka më bukur se të shohësh prindërit e tu të jenë të lumtur?

Ju ftojmë të Shijoni këngen e tij…