KA NDËRRUAR JETË AKADEMIK KRISTAQ PRIFTI

09.12.2017 22:06:36

Nga Abdulla Mehmeti

(21.1.1932 – 9.12.2017)

Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare akademik Kristaq Prifti, historian i njohur, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist, me veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare, njoftoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Një kontribut të madh akademik Kristaq Prifti ka dhënë edhe për shqiptarët në Maqedoni, në përgatitjen dhe organizimin e manifestimeve shkencore, sidomos për organizimin dhe readktimin e materialeve për botim të Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë” (1991), për shënimin e përvjetorëve të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare, ndriçimin e figurave të shquara dhe përgatitjen e kuadrit për kërkime shkencore në fushën e histiriografisë.

I ndjeri Kristaq Prifti u lind në Berat më 21 janar 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta në fushën e historiografisë i përfundoi në Moskë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësimdhënës në Universitetit të Tiranës. Ishte një prej profesorëve themelues të këtij Universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan.

Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të akad. Kristaq Priftit, në kuadër të historisë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar, janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Pejës, shqiptarët në periudhën e revolucionit xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri në prag të Pavarësisë, Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes, shpallja e Pavarësisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj. Kërkimet e tij në këto fusha janë përmbyllur me studime të plota monografike, disa prej të cilave, sipas rendit kronologjik, janë:

• Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare (bashkautor, 1968, 1978, 2004);
• Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881 (1978);
• Lidhja Shqiptare e Pejës; lëvizja Kombëtare 1896-1900 (1984, 2002;
• Historia e Shqipërisë, vëllimi II (drejtues shkencor, 1984);
• Dr. Ibrahim Temo: jeta dhe vepra (1987, 1993, 1996);
• La Ligue Albanaise de Prizren, vol. I (bashkëpërgatitës, 1988);
• Historia e popullit shqiptar, vëll. II (bashkautor e drejtues shkencor, 2002) dhe vëll. III (bashkautor e drejtues shkencor 2007);
• Popullsia e Kosovës (2014).

Akademik Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime, si: Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (1972); E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (shqip e anglisht, 1984); Sami Frashëri, vepra (vëll. I-II, 1988); Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual (shqip e anglisht, 1993, 1996); Himara në shekuj (2004).

Akad. Kristaq Prifti është autor i shumë artikujve studimorë, të botuar në revistat shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ai është dekoruar me Urdhrin Flamuri i Kuq i Punës (klasi I) dhe ka marrë Çmimin e Republikës (klasi II).

Me vdekjen e tij Akademia e Shkencave humbi një anëtar me veprimtari të gjatë dhe cilësore në kërkim dhe një prej drejtuesve që kanë lënë gjurmë progresi në institucionet ku kanë punuar, një koleg e mik të nderuar; bota shkencore humbi një dijetar me përvojë dhe një njeri të suksesit shkencor; familja dhe të afërmit njeriun e dashur.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e kolegëve dhe botës akademike shqiptare.

(9.12.2017)