KMDLNJ kërkon nga Thaçi ti fal të burgosurit që e meritojnë

10.02.2017 14:26:15

Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me anë të një letre të hapur kërkon nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që të shfrytëzojë të drejtën e tij dhe t’i falë ata të burgosur që e meritojnë.

KMDLNJ nëpërmes kësaj letre udhëzon presidentin që mos të veprojë si ish-presidentja Atifete Jahjaga që ka falur shumë pak të burgosur, ndërsa e këshillon që të veprojë si në Shqipëri në lidhje me të burgosurit.

“Në kohën kur po ndryshohet edhe infrastruktura ligjore që po afirmon masat alternative të dënimit  në Kosovë e që kanë dhënë rezultate pozitive në vendet e rajonit e sidomos në vendet me demokraci të zhvilluar dhe konsoliduar, mohimi i një të drejte njerëzore (nëse dikush dënohet i humb disa të drejta përkohësisht, por nuk mund t’u mohohen të drejtat e personave të privuar nga liria ) paraqet një prapakthim në trajtimin e të burgosurve, diskriminim flagrant, shpenzim të shtuar dhe të panevojshëm të buxhetit të Kosovës, destimulim për sjellje të mirë të të burgosurve , vështirësi të mëdha për oficerët korrektues dhe drejtuesit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, pamundësi për zbatimin e një programi për risocializim për të burgosurit e kjo shprehimisht nënkupton se integrimi i tyre në shoqëri do të shndërrohet në një mision të pamundur e që për pasojë logjike do ta ketë rritjen e shkallës së recidivizmit dhe rritjen e kriminalitetit në shoqëri”, thuhet në njoftim.

KMDLNj, gjithashtu kërkon që edhe të dënuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të trajtohen në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe si shembull se si ata duhet të trajtohen është Tribunali i Hagës, i cili asnjë të dënuar për vepra të shkeljes së të Drejtës Humanitare dhe Zakoneve të Luftës nuk e diskriminon por të gjithëve ua njeh të drejtën e beneficioneve dhe nuk ka asnjë rast i dënuar nga ky Tribunal që nuk ka fituar nga lirimi i parakohshëm, ndërprerja e dënimit apo ndonjë masë tjetër.

“Kategoria e të dënuarve të tillë është e stigmatizuar sepse dënohet dy herë nga Gjykata kompetente në rast se i dëshmohet fajësia dhe institucionet përgjegjëse për lirim të parakohshëm në rast se i plotësojnë kushtet e parapara me ligj. KMDLNj mendon se vetëm gjykata përkatëse, në bazë të provave është kompetente ta shqiptojë masën e dënimit apo të lirimit, ndërsa në kohën kur janë në vuajtje të dënimit ata duhet të kenë të drejta që u takojnë”, thuhet në komunikatë.

“KMDLNj shpreson se do ta merrni shumë seriozisht këtë kërkesë në mënyrë që t’u ofrohet një mundësi personave të privuar nga liria, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës dhe gjinisë, në bazë të sjelljeve të tyre të përfitojnë më shumë dhe të mos demotivohen sikur deri më tani. Humbja e përkohshme e lirisë nuk nënkupton humbje të përhershme të shpresës që pas gabimit të bërë , për të cilin e merr dënimin e merituar , të mos kthehet përsëri në familje dhe të kontribuojë në dobi të shoqërisë dhe shtetit”.

“Në fund të fundit, ashtu siç ka detyrim shteti të dënojë ata që vinë në kundërshtim me ligjin, po ashtu ka detyrim që personave të dënuar tu ofrojë një ofertë se çka mund të përfitojnë nëse me sukses e kalojnë programin e risocializimit. Me përjashtim të veprave që përjashtohen me ligj e që janë qartë të përcaktuara. Merreni shembull Shqipërinë që brenda një muaji i fali afërsisht 4000 të dënuar. KMDLNj, mbështetur në përvojën shumëvjeçare të monitorimit të Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese vlerëson se së paku 35-40% të personave të privuar nga liria duhet të lirohen me kusht apo që burgu mund tu zëvendësohet me një masë tjetër alternative të dënimit. Ndihmojeni Shërbimin Korrektues të Kosovës të marrë veten dhe trajtoni kërkesat për falje pa diskriminuar askënd, siç nuk ka ndodhur më parë. Nuk është falje nëse nga 650 kërkesa për falje, i falni 5 apo 10 të burgosur. Falni ata që e meritojnë, mos i falni të pamerituarit!”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-s.