Kombet e Bashkuara: 7 mijë fëmijë të vrarë në Siri që prej 2013

28.07.2018 10:50:56

E dërguara e Kombeve të Bashkuara, Virginia Gamba e cila përqendrohet tek fëmijët në zonat e konflikteve deklaroi se më shumë se 7000 fëmijë kanë humbur jetën ose janë lënduar në konfliktin sirian që nga viti 2013.

Gamba tha se që nga fillimi i vitit 2018, Kombet e Bashkuara kanë verifikuar mbi 1200 shkelje që u janë bërë fëmijëve.

Sipas saj, në këto të dhëna përfshihen më shumë se 600 fëmijë të vrarë si dhe 180 të rekrutuar ose të përdorur nga forcat qeveritare apo grupet e armatosura. Gamba bëri të ditur se tremujori i parë i vitit 2018 shënoi një rritje prej 48 për qind në vrasjen e fëmijëve.