Kosova prej sot është zyrtarisht anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, me seli në Bruksel.
Lajmin për anëtarësimin e Kosovës në Konventën themeluese të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave e kanë bërë publik në një konferencë për media kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha, kryeministri Mustafa tha se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën.
“Anëtarësimi në këtë Organizatë është tepër i rëndësishëm për rrugën e anëtarësimit tonë të mëtutjeshëm në organizatat e jashtme, është një anëtarësim gati i barasvlershëm me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me zhvillimin tonë ekonomik dhe financiar. Ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për avancimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës, anëtare të kësaj Konvente, si dhe për shumë aspekte të tjera që lidhen me shtetësinë dhe progresin në Kosovë”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa ka vlerësuar punën e Ministrisë së Jashtme dhe ministrit Hoxhaj në këtë drejtim, duke uruar njëkohësisht Doganat e Kosovës, punonjësit e saj dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë të arritur mjaft të rëndësishme.
Kryeministri Mustafa ka falënderuar po ashtu Qeverinë Belge dhe shumë shtete mike për përkrahjen e dhënë që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.
“Në rrafshin e jashtëm dhe të brendshëm, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë Organizatë mundëson që Dogana e Kosovës të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota anëtarësimi në konventa e instrumente tjera ndërkombëtare, ndihmon në tregtinë me shtetet tjera, asiston në shkëmbim të informatave dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, në luftimin e piraterisë, ekonomisë jo formale, ndihmon në forcimin e kapaciteteve doganore, luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitime tjera të cilat do t’i evidentojmë edhe në aspektin e të gjitha rezultateve pozitive të cilat ne i arrijmë, por edhe ndaljen e dukurive negative, për të cilat nuk kemi mundur të arrijmë të kemi qasje pa qenë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.
Organizata Botërore e Doganave (OBD) është organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1952 si Këshill i Doganave për Bashkëpunim. Sot, kjo organizatë botërore përbëhet nga 181 shtete përkatësisht 181 administrata doganore anembanë globit”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për të punuar me përkushtim të plotë për anëtarësimin në organizata tjera.
“Uroj që të kemi një këmbë të mbarë në anëtarësimin në organizata tjera derisa të bëhemi edhe anëtar të Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Isa Mustafa.






































