Kosova të njohë refendumin e krahinës së Presheves

15.08.2018 09:13:24

Nga: Refik HASANI

Republika e Kosovës ende nuk ka të ndërtuar një qëndrim  zyrtar ndaj referendumit të 1 e 2 marsit 1992, ende nuk ka formësuar një qëndrim për luftën e armatosur të UÇPMB-ës, Marrëveshjes së Konçulit, heqjen e lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë më 20 janar 2013, pjesëmarrjes apo jo në Trupin  Koordinues, për Këshillin Nacional, zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, diskriminimin, etj.

Parlamenti i Kosovës asnjëherë deri më tani nuk ka parashtruar diskutimin për t’u arritur, se: A duhet pranuar apo jo rezultati i Referendumit. Ishte shumë e pafalshme që në bisedimet Beograd-Prishtinë përmes misionarëve Ndërkombëtarë për gjetjen statutit përfundimtar të Kosovës që u zhvilluan gjatë viteve 2005-2007 në Vjenë, nuk është mbajtur një qëndrimi ndaj referendumit, nuk është  shtruar e as e përmendur fare Referendumi. Kosova asnjëherë në instanca të mekanizmave të BE-ës, OKB-së dhe instanca tjera nuk ka shtruar referendumin e kësaj Krahine.

Mbajtja e një qëndrimi ka munguar  edhe në Rezolutën, sipas nr. 04-R-011, të vitit 2013, artikullshkruesi ka kërkuar publikisht miratimin e një rezolute, por jo edhe me këtë përmbajtje që ishte, ku mungon dhe nuk përmendet  Referendumi.

Nëse gjatë gjithë kësaj periudhe në mënyrë institucionale nuk është ndërtuar e as mbajtur një qëndrim, tani dilet me propozime të mëdha për finalen në bisedimet Kosovë-Serbi. Mbajtja e konferencave për shtyp dhe deklarimet e shpeshta të  Presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi, dhe Nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lutfi Haziri, për korrigjimin e kufirit, ndarje territoriale, shkëmbim territorial, e deri të bashkimi të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me Kosovën.

Kur kujtoj që nuk është respektuar, nuk është çmuar dhe nuk është pranuar referendumi, e tani bëhet një garë kush po afron më shumë, duket sikur nuk kanë për ta ndihmuar, kështu që çështja e kësaj krahine do të mbetët ende e pazgjidhur. Nëse Kosova, për më shumë se një çerek shekulli nuk ka arritur të ndërtojë një qëndrim për Medvegjën, Bujanocin e Preshevën, nuk di si t’i marrim deklaratat serioze për korrigjim apo bashkim.

Prishtina dhe Tirana së pari do të duhej të njohin Referendumin e 1-2 marsit të vitit 1992 të Krahinës së Preshevës e pastaj opinioni i gjerë ndoshta e merr për seriozisht, prononcimin dhe intervistat për ridefinim kufijsh apo bashkim.