Krenar e me fat, që patëm një ushtarak të tillë si kolonel Tahir Zemaj

03.01.2017 10:54:28

(Në kujtim të 14 vjetorit të vrasjës së Heroit Kolonel Tahir Zemaj, Hasan Zemaj dhe Enis Zemaj)

Në historinë më të re të Kosovës, vepra dhe figura e kolonel Tahir Zemajt do të mbetën si shembull si duhet vepruar dhe luftuar për të mirën e vendit. Kolonel Tahir Zemaj do të kujtohet gjithmonë si burr trim, luftëtar i lirisë, pra si Hero i Kosovës.

Pavarësisht se historia jonë më e re i ka defektet e veta, emri i kolonel Tahir Zemaj do ta zë vendin e veçantë në kaptinat e historisë shqiptare, sepse kontributi i tij për çlirimin dhe institucionalizimin e Kosovës është i shkruar me veprën dhe gjakun e Tij dhe të bashkëluftëtarve të tij si; Ministrin e mbrojtjës Kolonel Ahmet Krasniqi, Heronjtë; Sali Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Bruçi etj., por edhe të bashkëluftëtarëve që sot janë gjallë. Ai ishte shembull i ndritshëm i njeriut që luftoi për institucionet e Kosovës, që u ndërtuan nën udhëheqjen e presidentit Rugova. Andaj qytetarët e Kosovës dhe diaspora shqiptare kudo që janë, do ta përkujtojnë me pietet të lartë Kolonelin e Rrafshit të Dukagjinit dhe të mbarë Kosovës, Heroin e tyre Tahir Zemajn.

Bashkëluftetarët dhe populli shqiptar do të kujtojnë komandantin e Betejës së Loxhës, aty ku forcat pushtuese serbe morën për herë të parë një leksion të fortë, një mësim të vyer. Atje ku serbët panë me sytë e tyre se çka do të thoshte të ballafaqoheshin me forca të organizuara, të përgatitura ushtarakisht dhe të drejtuara me profesionalizëm të udhëhequr nga Komandanti i kësaj beteje, Kolonel Tahir Zemaj.

Tahir Zemaj nuk vdiq në luftë edhe pse shkoi për të vdekur, por ai u vra tinëzisht nga kriminelët e trathtarët, ai u vra nga ata të cilët flisnin shqip, por që në fakt nuk kishin gjak shqiptari.

Edhe sot, edhe nesër çdo kujtim, rikujtim për Heroin, është thirrje për drejtësinë, është shpresë se edhe ekzekutorët, edhe ideatorët apo urdhërdhënësit e këtyre akteve qyqare e kriminale, herët a vonë, do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar.

Krenar e me fat, që patëm një ushtarak të tillë, ndërkaq familja një familjar të cilin do ta kujtojë Kosova për jetë e mot.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Tij madhore për Kosovën e lirë!

Haki Latifi