Krimi i dyfishtë, mesazhi i fundit: Hajde na merr te tokat bujqësore

18.02.2017 17:27:16

“Hajde na merr te tokat bujqësore!”, është mesazhi i dërguar nga celulari i Erzen Totës, 26-vjeçarit që u gjeti i pajetë sot së bashku me bashkëshorten e tij në kasollen e tyre. Kërkesa e fundit i është drejtuar vëllait të viktimës, Arnest Tota, i cili tha se motivi i krimit mbetet mister sepse ata nuk kanë pasur probleme me njëri-tjetrin.

Mesazhi është dërguar një ditë më parë dhe Arnesti ka shkuar tek vendi i quajtur ‘tokat bujqësore’, por nuk ka gjetur njeri atje. Më pas ai shkoi në banesën e të vëllait dhe i gjeti të pajetë në kasollen pranë shtëpisë.

“Shkova në shtëpinë e Erzenit dhe i gjeta tek kasollja e vjetër. Të dy kishin vdekur. Nuk e di motivin e kësaj vrasjeje. Ata nuk kishin probleme ekonomike. Ata kanë dy fëmijë. Vajzën 3-vjeçe e kishin lënë tek komshiu, ndërsa  djalin 9-muajsh e gjeta brenda në shtëpi”, tregon Arnesti.

Ndërkohë, burimet zyrtare bëjnë me dije se në sallën operative ka mbërritur një telefonatë, ku thuhej se në fshatin Velçan të Pogradecit ka ndodhur një vrasje e dyfishtë. Njoftimi është dhënë nga fqinjët e viktimave. Paraprakisht mendohet se çifti Tota është përleshur me njëri-tjetrin dhe Fatbardha, 23 vjeç e  ka goditur burrin  e saj 26 vjeç me dru pas koke. Plaga i ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj, nëna e dy fëmijëve ka pirë helmin dhe është gjetur e pajetë pranë trupit të burrit të saj. Sherri dyshohet se ka ndodhur për motive banale dhe se ka qenë i çastit.