Kryeministri kanadez mirëpret refugjatët e ndaluar nga Trump

29.01.2017 09:47:31

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të folur kundër ndalimit të përkohshëm të SHBA-ve për refugjatët dhe imigrimin nga vendet e caktuara.

 

Përmes disa cicërimave në Twitter, Trudeau theksoi angazhimin e qeverisë së tij për ata që ikin nga persekutimi, terrori e lufta, “kanadezët do t’i mirëpresin”, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Brenda pak orësh, cicërima e kryeministrit kanadez, është shpërndarë më shumë se 150 mijë herë.

“Mirë se vini në Kanada”, ka shkruar më tej Trudeau.

Trudeau i cili fitoi vëmendje globale për lejimin e hyrjes së 40 mijë refugjatëve sirianë në Kanada gjatë 13 muajve të fundit, gjithashtu ka bërë një cicërimë të mprehtë që tregonte atë duke e përshëndetur një fëmijë refugjat në një aeroport kanadez në vitin 2015.

Të premten, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për suspendimin e hyrjes në SHBA nga Iraku, Siria, Sudani, Irani, Somalia, Libia dhe Jemeni për 90 ditë.