Kryeministri Mustafa është i qartë për “Trepçën”, po të tjerët?

05.10.2016 17:34:02

Nga Rexhep Kastrati

Sot patëm rastin të dëgjojmë dy qëndrime të kundërta për “Trepçën”: në njërën anë kryeministri Mustafa bëri të qartë se “Trepça” është pronë e Kosovës, në anën tjetër, Gjuriq tha se do e bllokonte “Trepçën”, duke e trajtuar si pronë të Serbisë. Në fakt, kushtetuta e Kosovës, pasurinë mbitokësore dhe nëntokësore në Kosovë e trajton pronë të saj, dhe në këtë pikë deklarimi dhe qartësia e kryeminstrit buron nga ky përcaktim kushtetues. Në anën tjetër, Gjuriq, sikurse që Kosovën që e kosnderon krahinë jugore të Serbisë, edhe “Trepçën” e konsideron pronë të saj. Mirëpo, këtu ka një çështje që duhet pasur parasysh: dallimin ndërmjet pronësisë dhe statusit juridik të “Trepçës”, sikurse edhe kompanive të tjera. Gjuriq thirret në shndërrimin që Serbia ia ka bërë “Trepçës” në një shoqëri aksionare, e në të cilën aksionerë janë i ashtuquajturi Fondi për Zhvillim i Serbisë de disa kompani të jashtme, me pronësinë, pasi që i ashtuquajturi Fond për Zhvillim i Serbisë është konceptuar si agjension i shtetit serb. Nga ana e saj, Kosova nëpërmjet projektligjit të veçantë për “Trepçën”, pretendon ta konfirmojë pronësinë e Kosovës mbi këtë kompani dhe të zgjidhë statusin juridik të saj. Dhe duket se këtu do të bëhet lufta më e madhe, e cila kërkon unitetin politiko-institucional të Kosovës dhe të forcave politike të saj. Dhe në këtë kontekst, qëndrimi i Qeverisë dhe i kryeministrit Mustafa është shumë i qartë, por edhe qëndrimi i Kuvendit duket se është në këtë vijë, së paku sa i përket Komisionit që kryeson prof. dr. Muhamet Mustafa. Them këtë, sepse mbetet të shihet të premten se si do të sillen forcat e veçanta politike, sidomos ato opozitare. Të premten do të përballet qëndrimi i qartë i kryeministrit Mustafa dhe i Qeverisë se “Trepça” është pronë e Kosovës, dhe kuvendarëve të listës “Srpska”, që do të mbrojnë qëndrimin e shprehur nga Gjuriq. Në këtë kuptim, partitë opozitare janë në pozitë që duhet të përcakthen ose për qëndrimin e kryeministrit Mustafa, o për qëndrimin e kuvendarëve të listës “Srpska”. Çdo artefic, çdo taktizim, çdo përpjekje për të mbajtur një qëndrim tjetër nga të kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës, do t duhet të konsiderohet si qëndrim që do të jetë në përputhje me qëmdrimin e kuvendarëve të listës “Srpska”. Siç kam thënë edhe herë të tjera, çështja e “Trepçës” është çështje shumë e ndjeshme, shumë e vështirë dhe që implikon interesa të shumta vendore, serbe e ndërkombëtare, të cilët do të mundohen të bëjnë gjithçka që është në interes të tyre. Të mos harrojmë se rreth “Trepçës” janë ndërthurë interesa të Anglisë dhe të Francës, të cilat në të kaluarën e kanë mbështetur fort Serbinë për hir të shfrytëzimit të kësaj miniere të rëndësishme. Duket se kjo çështje është një nga arsyet se përse francezët edhe gjatë kësaj kohe kanë shprehur qëndrime proserbe, që nga deklarimi i Kushnerit lidhur me ndarjen e Kosovës, e deri te deklarimi i tanishëm për të drejtën e bashkimit me shtetin shqiptar,  e që i bie e njëjta gjë, pra ndarjen e Kosovës, sipas konceptit të shfaqur edhe nga Tadiq, edhe nga Daçiq. Në këtë kuptim, duhet të pritet se do të mund të ketë trysni të ndryshme që çështja e “Trepçës” të marrë rrjedhë tjetër, e që do të mund të realizohej në dy mënyra: nëpërmjet bllokimit të tij në Kuvend, dhe nëpërmjet trazirave dhe formave destabilizuese për Kosovën. Bllokimi në Kuvend mund të vijë vetëm duke mos e votuar, kurse trazirat dhe format destabilizuese mund të vijnë edhe nëpërmjet serbëve, edhe nëpërmjet politizimit dhe keqpërdorimit të projektligjit për “Trepçën” nga partitë opozitare. Në kuadër të formave për trazimin dhe destabilizimin e situatës duhet futur edhe mundësinë, përkatësisht përpjekjet e serbëve për ta rrëzuar Qeverinë me mospjesëmarrjen e tyre në Qeveri, ose me daljen e plotë nga koalicioni. Fakti se Gjuriq ka kërcënuar se Serbia do ta bllokojë me të gjitha mënyrat projektligjin për “Trepçën”, duhet kuptuar ashtu siç e ka thënë: të gjitha mënyrat. E që do të thotë që nga përpjekja për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet daljes së lista “Srpskës” nga koalicioni qeverisës e deri te përdorimi i rektrutëve shqiptarë të shërbimeve të saj sekrete për destabilizimin e Kosovës me mundësi kalimi edhe në konflikt të aramatosur. Kërcënimet e Albinit Kurtit, të Dradan Molliqajt, të Rexhep Selimit dhe përgjthësisht të sektës okulte të Albinit me luftë, po ashtu, duhet të merren shumë seriozisht. Motivet dhe arsyetimet, si zakonisht do të lidhen me interesa kombëtare. Prandaj, tashmë të gjithë janë në sprovë, sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, siç është “Trepça”, e cila, siç ka thënë edhe vetë kryeminstri Mustafa, paraqet sinonim të zhvillimit por edhe të sakrificës dhe flijimit për Kosovën.