Kryeministri Mustafa nga Malta: Fat që LDK është pjesë e familjes më të madhe politike evropiane!

30.03.2017 12:28:51

Nga Malta, ku po merr pjesë në një kongres të EPP-së, bashkë me dy nënkrytearë, Haki Rugova, Lutfi Haziri, sekretarin e përgjithshëm, Ismet Beqiri, anëtarët e Kryesisë, Vlora Dumoshi, Arban Arashi, si dhe kryetaren e FG të LDK-së, Lirije Kajtazi, kryeministri Mustafa ka ofruar jo vetëm përshtypjet e tij nga ky kongres, por edhe një numër fotografish, në të cilat përcillet si atmosfera e punës së këtij kongresi, ashtu edhe takime të tij me burrshtetas dhe diplomatë të fuqishëm evropianë.

“Gjatë punimeve të sotme të Kongresit të EPP-së në Maltë, liderët e vendeve evropiane, të mekanizmave të BE-së si dhe të partive më të fuqishme të qendrës së djathtë nga të gjitha vendet evropiane, po vazhdojnë diskutimet për të ardhmen e Evropës.
Pata mundësinë të takohem me personalitete të rëndësishme, të cilët konfirmojnë përkrahjen e tyre të plotë për Kosovën dhe rrugën integruese evropiane të saj.
Është fat i madh për vendin në këtë fazë, që LDK është pjesë e Familjes më të madhe politike evropiane, roli i të cilës është vendimtar për të ardhmen e BE-së dhe proceset integruese.
Andaj, me kënaqësi mund të them se Partitë Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Bashkimin Evropian, po e përkrah fuqishëm rrugën integruese evropiane të Kosovës.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa në facebook.