Kujtime për mësuesin dëshmor, Selim Berisha

19.03.2017 10:50:18

Nga Afrim Gashi

Selim Berisha u lind më 3 qershor 1950, në fshatin Drenoc të Prishtinës.

Shkollën fillore e kreu në Barilevë, të mesmen-normalen në Prishtinë dhe Mitrovicë kurse Fakultetin Filozofik, Dega: Histori, e kreu në Prishtinë.

Në moshën 23 vjeçare pra në vitin 1973 filloi të punojë si mësues klase.

Përcolli disa gjenerata, dhe gjenerata e fundit që ishte si mësues klase ishte gjenerata ime, pra unë (Afrim Gashi). Prof. Selim Berishën unë e kisha mësues klase.

Ishte viti 1987 kur unë i’u drejtova bankave shkollore. Në platonë para hyrjes së shkollës ishin të gjithë mësuesit e natyrisht edhe mësuesi Selim, mësuesi i cili do të më mësonte ABC-në por jo vetëm kaq.

Mësuesi na mori ashtu si ishim të rreshtuar dhe na dërgoi deri në klasë, klasë e cila ndryshonte pak nga klasët tjera. Në klasën tonë nuk ishte e varur fotografia e Josip Bros Tito. Në atë kohë për shkak të moshës nuk e kuptoja mire atdhedashurinë e mësuesit tim, ai e donte shqiptarinë më shumë se çdo gjë tjetër, këtë çdo ditë e më shumë arrijë ta kuptojë tani.

E kuptojë këtë kur kujtoj se si shkronjën e parë të alfabetit nuk e lidhi me gjërat që ishin në abetarën e atëhershme siç ishin airoplani, anija etj, por shkronjën A e lidhi me ATDHEUN, shkronjen I me Ismail Qemalin e Isa Boletinin, shkronjen S me Skënderbeun, shkronjen SH me Shqipërinë etj etj.

Ende e kam të freskët si mësuesi Selim na e lexonte mësimin ”Nëna Qamile”, me sa emocione e thoshte fjalinë “ Nëna Qamile i pështyu armiqtë në fytyrë”. 

Një ngjarje tjetër që më kujtohet është edhe viti 1990 kur nëpër shkollat tona u helmuan me mijëra nxënës. Mësuesi ynë çdo herë hynte i pari në klasë që ta kontrollonte klasën që mos të rrezikohej shëndeti ynë, madje një ditë për shkak të një dyshimi drejtoria e shkollës kishte marrur vendim që mos të hynte askush në shkollë dhe i ndalojë të gjithë, por jo edhe mësuesin Selim, ai hyri brenda në shkollë duke i thënë këto fjalë: “Duhet të ketë shumë helm shkau i shkinës që të më helmojë mua dhe nxënësit e mi”. Pas qëndrimit disa minuta në objektin shkollor doli buzagaz dhe tha: “ejani nxënësit e mi të dashur sepse nuk ka rrezik”.

Deshi fati dhe kur unë përfundova klasèn e katërt dhe fillova klasën e pestë edhe mësuesi Selim kaloi nga mësues klase në arsimtar i historisë dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Prof. Selim Berisha u caktua kujdestar i klasës sonë. Përveç si kujdestar klase e arsimtar i lëndës së historisë Selim Berisha vetes i kishte dhënë edhe një detyrë tjetër, detyrën e brumosjes së gjeneratave të reja me ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë. Kujtoj çdo fillimvit, kujtoj çdo vit, kujtoj pothuajse çdo orë, detyrën që duhej patjetër ta krynim ishte se duhej ta mësonim historinë e Ilirëve,  historinë e Skenderbeut, historinë e shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë etj etj, madje e kishim patjetër ta mësonim edhe se si sllavët kishin ardhur nga Karpatet ruse dhe ishin vendosur në Ballkan.

Të freskët kam edhe 20 marsin e vitit 1999. Ishte mëngjesi kur vërejtëm se ushtria dhe policia serbe kishte mësyer fshatrat tona. Më sytë e mi pashë që ikën të gjithë, po po të gjithë, nuk vërejta se dikush kishte mbetur, pas disa minutash shoh edhe Agronin, djalin e Prof. Selim Berishës të cilin edhe e kisha tetë vite në klasë.

Nuk e di se si rrodhi muhabeti por nga ai mësova se mësuesi Selim nuk kishte dalur nga shtëpia, ahhh! Tani mu kujtua se ai ishte betuar se nuk e lëshon shtëpinë për së gjalli. Sikur mu këputen këmbët, pak nga dhembja sepse sikur e dija se do të mbetem pa mësuesin tim por më shumë nga krenaria, mësuesit tim i erdhi dita, dita që shumë e kishte pritur, po po mësuesi im po e mbanë betimin e dhënë. Nuk vonojë shumë dhe dëgjuam një krismë, krismë të cilën ende e kam në vesh, ishte krisma e pushkës së mësuesit tim Selim, po po ajo ishte. Duke kërcyer nga krenaria dëgjoj edhe krismën e dytë e më pastaj nuk dallohen edhe shumë krismat e mësuesit tim, nuk dallohen sepse nga pozicioni i tij që ishte shtëpia e tij kishin filluar të zbrazen shumë fyshek nga më të vegjlit e deri te mjeti i quajtur “autoblindë”. Ahhh autoblindë, sipas të gjitha gjasave ajo ishte arma vdekjepruese për mësuesin tim.

Nga larg u munduam ta shikonim se çfarë është duke ndodhur por e kishim të pa mundur. Vetem pamë se një autoambulancë mori disa paramilitarë serbë që realisht nuk e dinim a janë të vrarë apo të plagosur. Pamë edhe ekipe televizive që hynin e dilnin nga shtëpia. Nuk vonojë shumë dhe lajmi mori dhenë. Pothuajse në të gjitha lajmet ishte, si në ato serbe ashtu edhe në ato shqipe. Radio e luftës ”Kosova e lire” kishte raportuar për rezistencën e profesor Selimit, kishte shkruar edhe “Koha ditore” më 22 mars 1999 “U vra duke luftuar” etj.  Madje në mbrëmje në TVP (Televizioni i Prishtinës), shqipfolsja Hajrije spikerica, lajmëroi se u vra “terroristi i rrezikshëm”, po i rrezikshëm, atij ia kishin frikën shumë serbët, sikur kishin nuhatur rrezikun, sikur e kishin kuptuar se me të nuk mund të kalonin lehtë.

Lajmet serbe pranuan se nga ana serbe pati humbje në njerëz por pa saktësuar numrin e të vrarëve apo të plagosurve. 

Pra, Prof. Selim Berisha me 20 mars 1999 ra heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, në mbrojtje të fshatit të tij, në mbrojtje të Dardanisë, në mbrojtje të Iliridës. Ra për të mos vdekur kurrë, sepse vepra e tij nuk do të harrohet kurrë por do të përciellet e do të kujtohet brez pas brezi.

Për rënien e tij heroike u dekorua me shumë Mirënjohje dhe mori statusin e dëshmorit të kombit, si dhe u  shkrua monografi dhe film dokumentar për dëshmorin.

Lavdi e përjetshme dëshmorit të kombit Selim Berisha dhe gjithë dëshmorëve tjerë!