Kyle Scott paralajmëron Serbinë se ministri i mbrojtjes, Vulin, po demton mardhëniet...

Kyle Scott paralajmëron Serbinë se ministri i mbrojtjes, Vulin, po demton mardhëniet me SHBA-në

12.10.2017 10:31:01

Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott dje e ka paralajmëruar Serbinë se ministri i mbrojtjes së saj po i dëmton marrëdhëniet e Serbisë me SHBA.

Ai në llogarinë e vet në Twitter e ka publikuar tekstin e agjencisë së lajmeve AP në “Washington Post”, me titull “Ministri serb i mbrojtjes e lavdëron kriminelin e luftës”, dhe ka shkruar se “për fat të keq, muajt e punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në SHBA, po dëmtohet seriozisht me një deklaratë”.

Në këtë koment të ambasadorit Scott, ministri serb Vulin ka deklaruar për “Novosti’n” serb në stilin e vet, se “çuditet se si ambasadori nuk e sheh dëmtim  të imazhit dhe kërcënim të marrëdhënieve për atë se është liruar Orlic në BeH”, duke “harruar” se Lazarevic’i është dënuar si kriminel lufte ndërsa Orlic u lirua si i pafajshëm”.

Ai vazhdon: “Vladimir Lazarevic është njeri i lirë, ndërsa e drejta ime është ta respektoj luftën e tij dhe luftën e popullit tim. A duhet t’i lavdëroj bombardimet e NATO’s dhe të kërkoj arsyetim për shkëputje të Kosovës? Nuk di për ndonjë ushtri e cila do të hiqte dorë nga gjenerali Lazarevic, unë me siguri jo”.

Teksti në “Washington Post” merret me fjalimin e Vulin’it të cilën ai e mbajti të shtunën në Nish, ku në mes tjerash, ka theksuar se “ka kaluar koha e turpërimit” dhe se “ka ardhur koha e krenarisë kur Serbia i nderon dhe i respekton kujtimet për të gjithë ata të cilët e kanë ruajtur atë gjatë luftërave të viteve të 90’ta”, transmeton express.

Vulin ka thënë se “të gjithë ata që e kanë mbrojtur Serbinë atëherë, janë trima mbi trima”, duke menduar edhe në kriminelin e dënuar për krime lufte, Vladimir Lazarevic, i cili e ka mbajtur dënimin në Hagë.

Mediet amerikane kanë theksuar se Vulin e ka lavdëruar kriminelin e dënuar të luftës për shkak të rolit të tij kundër intervenimit të NATO’s në vitin 1999, për shkak të pastrimit etnik dhe krimeve të bëra në Kosovë. Gazeta ka vlerësuar se ky lloj i komenteve më shumë e ilustron rritjen e urrejtjes së Serbisë ndaj Perëndimit, edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësim në BE, por njëkohësisht po i afrohet aleatit të vet shumëvjeçar slloven, Rusisë.