Ligji i ri për FSK-në, pjesë e pazareve të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin?

18.10.2018 16:04:17

Nga Rexhep Kastrati

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme ka miratuar një ligj të ri për FSK-në, e që me plotë të drejtë mund të thuhet se është vetëm miratim i nismës ligjore të paraqitur më parë nga Hashim Thaçi.

Me këtë projektligj, i cili u miratua me nxitim sikurse edhe demarkacioni me Malin e Zi, FSK nuk u trnasformua në FA, por vetëm iu bënë disa ndryshime kozmetike, kryesisht në emërtimin e Ministrisë së FSK-së, dhe në përcaktimin e disa kompetencave në fushë të mbrojtjes.

Sado që si shumica e shqiptarëve, do të doja që ky ligj i ri ta bënte FSK-në ushtri, megjithatë kjo nuk ka ndodhur, pasi që transformimi i FSK-së në FA mund të bëhet vetëm nëpërmjet të ndryshimeve kushtetuese, e që kërkon 2/3 e kuvendarëve të pakicave.

Prandaj, në një qasje pozitive, do të mund të thuhet se me këtë ligj, u realizua ajo që mund të bëhej në kontekstin e pamundësisë për ndryshimet kushtetuese, por në kontekstin real, mund të thuhet se me këtë ligj, FSK nuk bëhet dot anëtar i NATO-s, nuk bëhet partner strategjik dhe nuk i hapet rruga për misione paqeruajtëse, sikurse ushtritë tjera të botës.

Për shndërrimin e FSK-së në FA, sërishmi do të kërkohen ndryshime kushtetuese, e përsëri do të kërkohen votat e pakicave.

Dhe pikërisht në këtë kontekst, shfaqen disa aspekte të rrezikshme që mund të kushtojnë shtrenjtë për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

Në radhë të parë, pritet reagimi i serbëve pas miratimit të këtij ligji, në kuptimin e mosnjohjes së funksioneve të reja të FSK-së, largimi i tyre nga FSK dhe pse jo edhe kushtëzimi i shumë proceseve me kompromise të tilla që nënkuptojnë edhe mundësinë që brenda FSK-së të funksionojë një strukturë-ushtri serbe që do të ishte nën autoritetin e katër komunave të veriut, përkatësisht të Asociacionit.

Po ashtu, mbetet të shihet qasja institucionale ndaj FSK-së me këto funksione të reja që ia jep ligji i ri, në kuptimin e përdorimit të saj për të destabilizuar vendin, në emër të gjoja ndërhyrjeve për të vendosur dhe mbrojtur sovranitetin e Kosovës, ashtu siç ka pasur përpjekje të bëhet me FSK-në, e që pastaj do të ishte një pretekst për invadim të veriut nga forcat serbe

Në një kontekst të tillë, atëherë mund të thuhet se edhe ky ligj do të ishte thjesht një hile në rrugën për realizimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, në kuadër të të cilës do të ishte edhe policia dhe ushtria e Asociacionit.

Gjithsesi, është e domosdoshme që të ketë një debat të hapur, profesional dhe jo shfrime emocionale, populiste dhe që janë larg realitetit!