Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi: Duam një qeveri antimafie; luftë narko-shtetit të Ramës

18.10.2017 17:19:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë,  Lulzim Basha në përfundim të tryezës së partive opozitare të thirrur po prej tij, falënderoi të gjitha partitë që u bënë pjesë e saj dhe ftoi faktorin shoqëror, shoqërinë civile, intelektualet e median t’i bashkohen frontit opozitar në atë që e cilësoi si fron i përbashkët kundër krimit.

 

“Si ndihet një njëri që ka 4 vjet që denoncon lidhjen e Edi Ramës dhe qeverinë e tij me krimin dhe narkoshtetin siç doli dhe që është vetëm maja ne ajsbergut? Sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme se përfituesi kryesor i kanabizimit të vendit është vetë Edi Rama, për të kriminalizuar zgjedhjet përmes shitblerjes së votës. Mund të vazhdohet më kështu?

Mund t’i besohet rendi dhe siguria kësaj kupole mafioze në pushtet? Reforma në drejtësi? Zgjedhjet e lira dhe të ndershme? Përgjigjja është jo.

Është koha të marrim bashkë me shqiptarët të marrim vendime të mëdha. Kërkojmë largimin e Ramës si përfitues i narkoshtetit dhe krijimin një qeveria antimafie që të shembim lidhjen e krimit me politikën”, tha Basha.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi sipas të cilës aksioni opozitar kundër atij që e cilësoi si narkoshteti i Ramës sapo ka nisur, pasi opozita e bashkuar do të mbajë të tjera tryeza në ditët në vazhdim.

Sipas Kryemadhit, ky front i përbashkët kundër krimit do të jetë më inspiruesi në popull, duke mos përjashtuar edhe protestat të cilat sipas kryemadhit nuk i bëjnë partitë politike por populli dhe populli duhet të besojë tek ata që i drejtojnë.

“Klasa politike t’i japë fund tranzicionit të gjatë politik. Jemi i vetmi vend në Europë që ende nuk kemi dalë nga tranzicioni”, tha Kryemadhi.