Mashtrimet e ulëta të liderëve kosovarë me “ftesat” nga Amerika!

28.12.2016 14:26:30

Shumica e liderëve institucional dhe partiak janë krenuar sa herë që kanë “marrë ftesë” për të qenë të pranishëm në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve apo siç njihen ndryshe Lutjet e Mëngjesit në SHBA.

Ata këtë “ftesë” e kanë shituar goxha mirë të qytetarët, duke thënë se janë të ftuar nga presidenti i SHBA-ve.

Kështu ka ndodhur për vite të tëra, shkruan lajmi.net.

Si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, fillimi i çdo viti është përcjellë me komunikata e deklarata pompoze se “janë të ftuar nga presidenti amerikan për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit”.

Mirëpo, ata asnjëherë nuk morën një ftesë nga presidenti amerikan për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Një nga organizatorët e Lutjeve të Mëngjesit ka treguar për lajmi.net se kush merret me këto organizime. Ai ka dashur të mbes anonim, por ka thënë se është një organizatë që merret me këtë organizim.

“Kjo organizatë nuk është pjesë e Administratës Amerikane, thjesht është një organizatë ose kompani që ‘shet’ ose bënë ftesa, asgjë më shumë”, ka thënë ky person.

Pra, e vërteta e ftesës për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit në SHBA është kjo.

Njëjtë mund të thuhet edhe për kinse ftesën e Donald Trumpit për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj që të merr pjesë në inaugurimin e tij president të SHBA-ve.

Lutjet e Mëngjesit mbahen në Uashtington, të enjten e parë të shkurtit, dhe zakonisht marrin pjuesë 3,500 mysafirë. Sivjet nga Kosova do të merr pjesë Sllobodan Petroviq, deputet i Listës Serbe dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale.

Po ja çfarë thotë Petroviq për këtë “ftesë”: Kjo thirrje do të thotë shumë. Kjo është mundësi ideale që të njihem me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Trump dhe administratën e tij. Edhe viteve të kaluara janë përpjkeur që të takohem me zyrtarë të lartë amerikanë për të folur për problemet e serbëve në Kosovë, që do ta bëj edhe tash.

Petroviq, që tetë herë të kaluara nuk ka mundur ta bëj këtë para presidentit amerikan, Obama.

Petroviq, që është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo është hera e nëntë që merr këtë thirrje, por këtë të fundit e sheh si një shenjë të rëndësishme për përfaqësuesit serbë, që janë të dëshirueshëm në tryezë si miq.

Ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve drejtohet nga presidenti i SHBA-ve dhe shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës si: senatorë, kongresistë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës dhe personalitete të ndryshme të botës nga fusha e artit, kulturës dhe shkencës.