Mbyllja e rrugës ballkanike nuk e zgjidhi krizën e refugjatëve tha Merkel

06.10.2016 15:18:47

Kancelaria gjermane, Angela Merkel ka kritikuar sërish sot kontrollet e rrepta kufitare përgjatë rrugës ballkanike të migrantëve dhe theksoi se marrëveshja BE-Turqi ishte zgjidhja e vetme e qëndrueshme në kontrollin e fluksit të refugjatëve.

“Në qoftë se ju më pyesni, nëse mbyllja e rrugës ballkanike zgjidhi problemin, unë do t’ju them në mënyrë të qartë që jo”, tha Merkel për gazetën javore “Die Zeit”.

“Në fakt do të thotë që më pak emigrantë mbërritën në Gjermani në javët para se marrëveshja BE-Turqi të hyjë në fuqi, por nga ana tjetër rreth 45 000 persona mbërritën në Greqi”, deklaroi kancelaria.

Kancelaria hodhi poshtë akuzën se kishte tërhequr qëndrimin politik që nga shtatori i kaluar, kur ajo hapi kufijtë e Gjermanisë me një premtim të shenjtë ndaj refugjatëve sirianë të bllokuar në Hungari.

Gjesti i saj i vullnetit të mirë në fillim u vlerësua nga komuniteti ndërkombëtar, por më pas është kritikuar pasi deklarata e saj provokoi ardhjen e qindra mijëra migrantëve në vend në tre muajt e fundit të vitit 2015.

Që atëherë ajo ka implementuar një sërë masash dhe është shprehur se në parim politika e saj ka mbetur konstante.

“Nuk besoj se ne mund ta zgjidhim këtë problem me anë të mospërfilljes maksimale, të distancës dhe izolimit”, shtoi Merkel.

“Unë jam realiste dhe realiteti është ky”, theksoi ajo.