Melodi e zezë/ Vargje nga Dije Lohaj

10.02.2021 10:42:05
MELODI E ZEZË
( Për invalidët e luftës)
Buzë varrit me dhe hiri,
Dalldisur nga melodi e zezë,
Në pentagramin e lirisë
Digjej kurmi juaj.
Të vdesim a të rrojmë?
Refreni përplaset kolltukëve të mëndafshtë
Këmbëkryq ulet në ndërgjegjen e oxhakut tim.
Vitet e paqes ua gërryejnë plagët,
Ua shpojnë eshtrat tej e përtej,
Ju lanë në pështjellën e shtjellës,
Të ecni me proteza lëndinave me lot.
Ju mbetët
Si fëmijët jetimë.
Kur paqja shtrin flatrat e zeza
E zëri i kukuvajkave
Ngatërron melodinë:
“Mbeç, more shok, mbeç,
Të dy qetë të m’i shesë,
Të më rrisë djalinë oi,oi,oi…”
Melodia shkundi yjet e zjarrtë,
Si era kokrrat e mollëve në suferinë,
E ju mbetët copëza malli,
Në pragun tuaj.
Liria ua përtyp dhembjet,
Me dolli gjaku
Kapërdihet amshimi juaj.
Ata ua mallkuan ëndrrat,
Ata ua shëmtuan vdekjen.
Tani më nuk e dini
Kur ka ardhur,
A kur ka ikur?
Apo a e keni sjellë ndonjëherë,
Lirinë?
Të vdesim,
A të rrojmë?
Refreni përplaset kolltukëve të mëndafshtë
Këmbëkryq ulet në ndërgjegjen e oxhakut tim.
KLITHJE PËR KLITHJEN E ATDHEUT
Nën qiellin e grisur,
Ik atdheu nga njerëzit e tij.
Ku shkon?
Ankthshëm atdheu loton,
E cunamët fërgëllojnë rrugëve,
Me uraganë melodish të çmendura,
Në mileniumin e ri.
Oh, atdhe!
Ç’është ky zë që drithëron,
Përplasur ndër gjokse engjëjsh të pafaj.
Koha po gulçon shpirtplasur,
Se bijtë e tu e ndaluan mileniumin,
Yje shkatërrimtarë,
Shtrëngatë e stuhi të sollën.
Fusnota e nota të zeza shpikën,
Në faqe të tua rishkruan hieroglifë evropianë,
E këmbëkryq rrinë në oxhakun tënd,
Shtrojnë e hanë darka të fshehta,
Në tryeza diplomacish të çjerra.
Oh, klithma e atdheut tim!
Zemërvarur mbi gjakun e shkelur,
Në identitetin tënd të therur.
Merri vargjet e tua
E vari me to poetët
Le ta shijojnë amshimin
Brenda hapësirës që s’tretet.