Nis Procesi i dytë ndaj Trump në Senat: Biden i shqetësuar për rikthimin e ish-Presidentit

10.02.2021 10:46:09

Nga sot, Donald Trump rikthehet në qendër të skenës politike amerikane, edhe si një mungues i një kohe të gjatë. Ish-Presidenti ka bërë të ditur se nuk do të lejojë veten të pyetet nga Senati, në një procedim të një “impeachment” që ai e konsideron antikushtetues.

Për një javë do të jetë ai protagonist, siç ka qenë në 4 vitet e fundit. Joe Biden, spektator i pazakontë, mësohet se ka pyetur këshilltarët nëse do të jetë ai që do të paguajë një çmim politik të këtij procesi ndaj paraardhësit të tij.

Sot, Senati i SHBA hap siparin formal të procesit të impeachment-it. Akuza në thelb është nxitje të rebelimit kundër institucioneve të SHBA, e faktet janë ende të freskëta në kujtesën e tërë botës. Sulmi ndaj Kongresit në Capitol Hill më 6 janar, i inspiruar nga fjalët e ndezura të Presidentit që deri në fund refuzonte të njihte fitoren legjitime të Biden.

Ndër provat e akuzës është mitingu i mbajtur nga Trump përpara Shtëpisë së Bardhë, filmimet e agresionit ndaj forcave të rendit, hyrja në ndërtesën e Kongresit, bilanci i 4 të vdekurve, largimi i autoriteteve të larta të shtetit që nga Zv.Presidenti Mike Pence, Kreu i Kongresit Nancy Pelosi, kreu i grupit republikan në Senat Mitch McConnell e të tjerë.

Për t’u mbrojtur, Trump do të përdorë Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA, pra liria e shprehjes, dhe mbron argumentin se ai nuk ka nxitur dhunë. Mbrojtja e Trump flet për “teatër politik”që kërkon një lidhje të paqenë mes  fjalës dhe veprimeve.

Mazhoranca e republikanëve; 45 senatorë nga 50, kanë bërë të ditur se do të mbrojnë Trump. Dita e sotme parashikon 4 orë debat për të vendosur nëse ky “impeachment” është në përputhje me Kushtetutën.

Për këtë në fund votohet me shumicë të thjeshtë e sipas gjasave do të fitojnë demokratët, që bën atë që procesi të ecë përpara. Nesër do të nisë debati i vërtetë dhe real; 16 orë për çdo palë të ndarë në 2 ditë. Senatorët do të kenë  edhe 4 orë në dispozicion për të pyetur palën akuzuese, pra Komisionin e Deputetëve që ka ngritur Dhoma e Përfaqësuesve dhe po aq mbrojtja, pra avokatët Trump. Votimi final do të bëhen javën e ardhshme.

Nuk ka shumë dilema apo të panjohura në këtë proces. Kjo pasi Trump-it i mjaftojnë edhe 34 senatorë për të rrëzuar çështjen, pra për të mos arritur shumicën e dy të tretave që duhet për të çuar në gjykim një President.

Por edhe kërkesa për të përjashtuar Trump nga zyrat publike për të ardhmen mund të mos arrihet ngaqë nuk ka shumicë dhe kërkon votë të ndarë nga të dyja dhomat e Kongresit. Po kujt i vlen e gjitha kjo? Kjo është pyetja që Biden po bën gjithë këto ditë.

Nga një anë shumë demokratë janë të bindur se kanë obligimin kushtetues, politik e moral: për të mos e lënë pandëshkuar një sjellje destruktive, ku Trump nuk pranoi tranzicionin e pushtetit, që duhet të marrë fund.

Nga ana tjetër kjo tentativë e dytë për “impichmeant” nëse del bosh mund të ndikojë në pikët e Biden në publik, pas asaj të një viti më parë, e që e djathta mund ta përdorë për të argumentuar tezën se ka një persekutim ndaj Trump.

Ndërkaq, konsiderata të tjera shpjegojnë se Biden ka qenë gjithnjë i kujdesshëm dhe nuk e ka mbështetur atë me entuziazëm. Kjo pasi për një javë agjenda legjislative mund të kridhet në të shkuarën, ndërkohë që koha kërkon veprime për çështjet e emergjencës.

Biden ka nevojë që Kongresi të miratojë sa më shpejt masat urgjente për pandeminë, për ringritjen e ekonomisë etj. Në fund, ky “impeachment” ka dhënë si efekt të parë kompaktësinë e Partisë Republikane, pikërisht kur dukej se ishte në krizë ekzistenciale.

Kronometri që shqetëson Biden është i tmerrshëm. Pas një viti e 9 muajsh do të ketë sërish votim për Kongresin. Agjenda ambicioze e reformave e Presidentit ka vetëm pak afat për të shfrytëzuar këtë mazhorancë demokrate në kongres. /Gazeta Shqip