Mjekësia Ligjore përfundon autopsinë, trupi i Malsor Dashit i dorëzohet familjes

04.05.2018 15:03:14

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekzaminimin e trupit të policit Malsor Dashi. Trupi i policit të ndjerë tashmë i është dorëzuar familjes.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i ka thënë Zërit se trupi para një ore është nisur për Kaçanik.

“Ka përfunduar ekzaminimi. Para një orë trupi është nisur për Kaçanik. Në ora 14:00 dorëzohet te Xhami në Kaçanik.

Varrimi i policit të nder, Malsor Dashi do të bëhet në ora 16:00 në Stagovë.

Ndryshe, të enjten pasdite ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur ta gjejnë trupin e njërit prej dy policëve të zhdukur, Malsor Dashi.

Ekipet e kërkimit-shpëtimit edhe sot po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të policit tjetër Armend Trena. Dy policët ishin zhdukur më 28 prill pas aksidentit që kishin pësuar në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik. Vetura në të cilën gjendeshin policët kishte rënë disa metra poshtë rrugës duke përfunduar në lumin Lepenc.