Mogherini tregon se kush e kërkoi takimin e Brukselit

26.01.2017 16:19:25

Prishtina e Beogradi të mos flasin shumë për njëri-tjetrin, por të punojnë për zgjidhjen e çështjeve që shtrohen mbi tryezë”, komentoi Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, kur u pyet mbi përfundimet e raundit të jashtëzakonshëm të dialogut të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga Brukseli, në daljen e saj të parë për shtyp, në përfundim të mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve.

Ajo falënderoi, si në deklaratën e mesnatës, të dy kryeministrat dhe të dy presidentët e vendeve respektive për bisedimet e hapura e shumë konstruktive mbi zhvillimet e ditëve të fundit dhe për pajtimin e arritur mes tyre “për lënien pas të tensioneve, për të vijuar punën”.

“ Ishte një takim që unë e kërkova, për shkak se tensionet po rriteshin mjaft, në mënyrë të qartë e tepër shqetësuese, gjatë javëve të fundit” tha zonja Mogherini. “Ishte takim pozitiv, mbase jo më i miri e më konstruktivi, ku unë kam parë qartazi angazhim e vendosmëri, si dhe lidership tek të 4 përfaqësuesit me riangazhim në dialogun e nivelit të lartë për të zgjidhur çështjet serioze që shtrohen, si zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë, apo mosmarrëveshje të tjera që ndajnë palët, në të cilat BE, si një ndërmjetës po ofron hapësira për zgjidhje e që do të diskutohen në ditët që vinë” shtoi ajo, raporton RTSH.