Molliqaj: Nuk duam dhunë, por parandalimin e seancës

31.08.2016 18:41:31

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se vendi është duke u përballur me dy koncepte krejt të ndryshme, në esencë, duke vënë në njërin kënd politikën udhëheqëse dhe në tjetrin Lëvizjen Vetëvendosje.

“Po ballafaqohemi me dy koncepte politike bukur të ndryshme me njëra tjetrën. Në njërën anë është ai i krimit, korrupsionit dhe koncesioneve me Serbinë. Në tjetrin ëshët ai i Vetëvendosjes, që është krejt i ndryshëm nga ky i pari”.

Ai ka deklaruar se tashmë është vëretuar katërcipërisht se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është i gabuar dhe duhet rishikuar nga fillimi, njofton Klan Kosova.

“Ekspertë të njohur nga Kosova, si edhe nga Shqipëria, e kanë vërtetuar që Kosova humbet nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Por pushtetarët me kokfortësi kanë vendosur të mos dëgjojnë këta zëra dhe të vazhdojnë”.

“Fare pak ka njerëz që jetojnë në Kosovë që kanë dilema se kush ka të drejtë. Ka edhe të tillë që mendojnë se megjithëse humbim nga kjo marrëveshje, ai duhet të votohet. Por këta zëra nuk duhet të merren parasysh. Nuk besoj që kemi qytetarë të republikës që nuk janë të bindur, por kemi njerëz të interesit si Mustafa e Thaci për ta kaluar këtë marrëveshje. Kemi edhe deklarime të deputetëve të partive në pushtet, që janë duke u shtyrë që të votojnë për këtë marrëveshje”.

Lidhur me protestën e ftuar për të enjten, Molliqaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk synon të shkaktojë dhunë, por ta parandalojë mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës pritet të miratohet demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, njofton Klan Kosova.

“Si zakonisht policia, qeveria, synojnë të krijojnë skena të frikshme për qytetarët para protestave të Vetëvendosjes. Kanë ndodhur gjithmonë këto gjëra. Edhe tash po ndodh njëjtë. Publikimi i fotografive të ndryshme, reklamave të ndryshme, kanë këtë gjë për qëllim. Jemi për protestë paqësore të enjten. Në thelb besojmë që nuk duhet të ketë dhunë, por policia gjithmonë na ka provokuar, ka ndaluar dhe kufizuar protestuesit. Protesta ka për qëllim bllokimin e seancës, por në mënyrë paqësore. Ne jemi të angazhuar maksimalisht, me krejt qenien tonë, si asnjëherë më parë, për të kundërshtuar me cdo kusht demarkacionin. Për këtë jemi gati të angazhohemi me krejt qenien tonë për ta ndalur këtë proces”.