Morinë, arrestohet doganieri, kalonte mallra kontrabandë

02.11.2016 10:05:07

Policia ka arrestuar një doganier të pikës kufitare Morinë në Kukës. Ai akuzohet se ka lejuar mallra kontrabandë. Në pranga u vu dhe një shtetas kosovar, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin udhëtonte, u gjetën dhe sekuestruan mallra kontrabandë ,këpucë, të cilat i ka kaluar në doganën e Morinës.

Të arrestuarit janë: Saimir Thaçi, 30 vjeç, banues në Krumë-Has, me detyrë doganier të kontrollit fizik në doganën e Morinës-Kukës, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë e doganave”.

Afrim Sopaj, 33 vjeç, banues në Suharekë- Kosovë, për veprën penale ’’Kontrabanda me mallra të tjera’’.

Arrestimi i tyre u krye më 1 nëntor, ndërsa procedimi penal kishte nisur më 29 shtator  mbi bazë informacioneve të siguruara me metoda speciale të hetimit.

“Arrestimi i shtetasit Sajmir Thaçi u bë pasi, duke qenë në detyrë nuk ka kryer veprimet doganore ndaj mjetit tip ‘Golf 4’, me targa 04-583FE, me drejtues shtetasin Afrim Sopaj, i cili  transporton mallra kontrabandë”

Arrestimi i shtetasit Afrim Sopaj, u bë pasi mbi bazën e  informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas transportonte mallra kontrabandë  u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin udhëtonte, ju gjetën dhe sekuestruan mallra kontrabandë(këpucë), të cilat i ka  kaluar në doganën e Morinës”, njofton policia.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë e doganave” dhe  ’’Kontrabanda me mallra të tjera’’.