Në Beograd mbahet Forumi për Siguri, merr pjesë edhe Edi Rama

13.10.2016 10:05:49

Ka nisur në Beograd Forumi VI për sigurinë, ku i pranishëm është kryeministri Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Dy krerët e qeverive morën pjesë në forumin “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe si dhe stabiliteti në Evropën Juglindore”, ku palët shprehën qëndrimet e tyre duke iu përgjigjur pyetjeve të profesorit të Universitetit Columbia, Misha Glenny.

Në fjalën e mbajtur Rama deklaroi se Shqipëria ka bërë reforma që nuk janë bërë kurrë më parë.

“Kemi qenë të aftë për të bërë reforma që nuk janë bërë më parë, sepse njerëzit kanë kuptuar se kjo është mënyra për të modernizuar dhe për të qenë pjesë e kësaj familje të madhe europiane. Është përgjegjësia jonë dhe beteja jonë për të siguruar që integrimi në BE nuk ka të bëjë me zgjedhjen e dy dashurive të mundshme, por në zgjedhjen e së ardhmes”, deklaroi Rama.

Ndërsa kryeministri serb Vuçiç tha se dëshiron marrëdhënie të mira me shqiptarët. Gjithashtu ai u shpreh se synon që Serbia shumë shpejt të jetë pjesë e BE-së.