Një vajzë si Xhejn Eir

16.02.2017 00:16:55

Një arritje e letërsisë angleze e botërore, një libër dhe një personazh që ka bërë për vete çdo lexues. Çdokush kërkon të lexojë një libër të bukur ku përmbajtja të jetë si në përralle, por rrallëherë lexuesit përballen me dhimbjet, që mund të ketë një libër në brendësi.

Ndaj lexuesit e Xhejn Er unë do t’i konsideroja si guximtarë, për faktin se ata kanë lexuar një vepër e cila fillon me tortura e dhimbje, kundrejt vetë personazhit kryesor, për t’i kthyer më pas në magji. Them magji, pasi mënyra me të cilën historia ndryshon është me të vërtetë magjike, për vetë faktin se autorja e këtij romani Sharlotë Bronte përshtat shumë bukur të thjeshtën me të bukurën.

Një vajzë e vogël vihet përballë vështirësive që jo çdokush prej nesh i has në jetën e përditshme. Një vajzë si Xhejn Er do të bënte për vete çdo lexues, por jo prej faktit se do të ndienin keqardhje, por për mënyrën se si ajo u dilte para situatave nëpër të cilat bëhej pjesë. Asaj s’i mungoi kurrë forca, dhe në një mënyrë të paimagjinueshme ajo triumfoi, fitoi dashurinë e një mashkulli që e donte aq shumë dhe la pas çdo gjë që kishte kaluar në fëmijëri. Një vajzë si ajo u bë kryefjala kryesore e një libri që vazhdon të lexohet prej më shumë se një shekulli në të gjithë botën. Në fakt, është vetë ajo e cila ia jep lexuesit ato vlera, Xhejn Er diti të falte dhe të harronte dhe falë kësaj ajo i dha çdo lexuesi një mësim, që askush nuk mund ta harrojë. Një lexues i mirë s’mund ta harrojë kurrsesi një lexim të tillë, sepse unë e konsideroj Xhejn Er-in si një magji që cilido do ta donte. Por a e kërkoi Xhejn Er një dashuri aq të fortë vallë? Jo, ajo nuk e kërkoi dhe këtu vjen pjesa më e bukur, pas një jete të tërë në vuajtje e vetmi asaj iu dha ajo që shumë njerëz e quajnë si gjënë më të shtrenjtë të jetës, të dashuronte dhe të dashurohej nga i njëjti person që donte. Ajo u dashurua me një person i cili mjaftonte t’i hidhte një shikim dhe trupi i saj fillonte të ndiente një shqetësim e të dridhej i tëri. Ajo arrinte të shihte ftohtësi në sytë e zotit Rocester dhe me kalimin e kohës ajo e ktheu atë ftohtësi në një ndjenjë të bukur dashurie. Që në takimet e tyre të para ata e njohën njëri-tjetrin përmes një shikimi të vetëm dhe arritën të kuptoheshin. Në fakt, ky është sekreti i një dashurie të vërtetë, ta kuptosh partnerin vetëm me një shikim. Xhejn Er kaloi nga një botë së cilës i përkiste, në një botë komplet ndryshe të cilën ajo as që e imagjinonte që ekzistonte. Por, a nuk janë pak si shumë gjërat që kaloi Xhejn Er për të arritur një lumturi të plotë? A nuk ishte fati ai, i cili e përballoi me aq shumë vështirësi, ndoshta në këtë mënyrë ajo do arrinte një triumf më të plotë, ashtu siç e arriti. Sa e magjishme është jeta, të vë përpara vështirësish dhe në fund të fal një lumturi të pambarimtë, një lumturi që çdokush e dëshiron, e njëjta dashuri që iu fal një vajze si Xhejn Er. Pyetja që unë do doja t’i drejtoja çdo lexuesi është, a do mundte dikush nga ju të kalonte një jetë si ajo e Xhejn Er-it? Duke qenë se nuk kam mundësinë t’i di përgjigjet e gjithsecilit do filloj të jap një përgjigje nga vetja ime, si do t’i përgjigjesha unë kësaj pyetjeje nëse dikush do ma drejtonte. Të kalosh një jetë si ajo e Xhejn Er-it nuk është aspak e lehtë, madje për dikë mund të jetë më se e vështirë vetëm duke lexuar librin, e jo më ta përjetojë. Pikërisht për këtë arsye Emily Bronte ka sfiduar çdo lexues, duke i vendosur përballë një vajzë si Xhejn Er. E vetmja gjë që e lejoi Xhejn Er-in të dilte mbi çdo vështirësi ishte guximi i madh që kishte, ajo nuk dorëzohej kurrë, e as nuk qante në qoftë se e rrihnin dhe keqtrajtonin. Ndoshta Xhejn Er e mbante çdo lot përbrenda, sepse e dinte që me lot vuajtjet nuk shuheshin, por me pak guxim po. Duke e lexuar Xhejn Er kam kuptuar se jeta nuk është një libër i bukur, dikush mund të jetë duke qeshur i lumtur, ndërkohë që dikush tjetër qan nga dëshpërimi se ka mbetur jetim. Unë, ashtu si të gjithë do të doja që këto vuajtje të mbaronin, por kush jemi ne për të ndryshuar rrymën e një bote të tërë? Duke ardhur te përgjigjja e pyetjes sime unë them që po, do isha e gatshme të kaloja një jetë si ajo e Xhejn Er, sado të vështirë ta kisha. Ndoshta shumë persona nuk do e besojnë përgjigjen time me pretekstin se është thjesht për të mbushur një faqe reviste, por arsyeja që unë do e pranoja është se ec me idenë se jeta është një sfidë e plotë, nga fillimi deri në fund dhe çfarëdo që të bëjë gjithsecili prej nesh, të luajë apo jo të gjithë arrijmë tek i njëjti rezultat. Të gjithë marrim shpërblimin e asaj për të cilën na kanë sfiduar dhe secili mund të triumfojë në mënyrën e tij. Me një jetë si të Xhejn Er unë do kisha guximin e duhur për të jetuar ndaj po, jam krenare për një vajzë si Xhejn Er.