“Partia e Putinit i ka dhënë mbështetje hyrjes së Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj”

16.09.2017 22:28:54

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar sonte se partia e Vladimir Putinit, “Rusia e Bashkuar” “qartë dhe drejt” i ka dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe asaj “që ai po bën për çështjen e Kosovës”, si dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, sepse “e dinë se sa është e rëndësishme që serbët të kenë ndikim sa më të madh në institucionet kosovare”.

“E dinë dhe e kuptojnë se cila është taktika jonë dhe se po tentojmë që me kokë të bëjmë politikë, e jo në mënyrë të ulët sikur pseudo patriotët e rrejshëm që thirrën në emrin serb duke sulmuar gra nëpër rrugë”, ka thënë Gjuriq për Pink, duke aluduar në sulmin e dy gazetareve të këtij televizioni sot nga protestuesit e nacionalistëve serbë të “Dverit”.

Gjuriq e ka akuzuar portalin serb “Kurir” i cili ka shkruar se partia e Putinit nuk i ka dhënë mbështetje Listës Serbe për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Ramush Haradinajt, shkruan lajmi.net.

Gjuriq ka thënë se duhet të paramendohet ajo shkallë e pikëllimit kur përmes “portalit të rrjeshëm” plasohet lajmi që Rusia menjëherë e demantoi.

“Përçarësit asnjëherë nuk do të fitojnë në mesin e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Këto deklarata të Gjuriqit tregojnë se në Serbi ka filluar një “luftë e brendshme” rreth asaj se kush duhet të zhvillojë politika për Kosovën. Dialogu i brendshëm për Kosovën i paralajmëruar nga presidenti serb po ashtu ka nxitur reagime dhe ndarje të thella ndërmjet klasës politike serbe.

“…ata nuk e dinë nëse Dukagjini është në perëndim apo në lindje, nuk e dinë ku është as Babimoci, dhe asnjë vend tonin në Kosovë, përveç ndoshta Prishtinën, atje ku shkojnë përkohësisht dhe pinë kafe me liderët shqiptarë”, ka thënë Gjuriq.