Pas mbylljes së Kapshticës, Greqia shtrëngon masat edhe në Kakavijë. Ja rregullat e reja

21.11.2020 12:07:04

Pas publikimit në Top Channel të skandalit të testeve negative për COVID dhe PLF false, pala greke ka vendosur të shtrengojë rregullat e verifikimit në pikën kufitare të Kakavijës, e vetmia pikë hyrëse në Greqi.

Kështu, që prej mëngjesit të sotëm, të gjithë personat që kalojnë në këtë pikë, do të kalojnë në një test të shpejtë ‘rapid test’, përgjigjia e të cilit duhet të merret në vend dhe në vazhdim do të lejohet kalimi në doganë.

Për këtë arsye, në Kakavijë pala greke ka vendosur t’i fusë në grupe të vogla personat që kalojnë, i teston dhe pasi jepen përgjigjet e testeve, portat hapen sërish për të hyrë grupi i radhës.

Pala greke ka kërkuar mirëkuptimin e kalimtarëve që përdorin këtë pikë, pasi sipas saj është e vetmia mënyrë që të vazhdojë të mbetet e hapur edhe pika e Kakavijës, në kushtet të cilat janë krijuar prej përhapjes masive të Covid 19 në Greqi.

Pak ditë më parë, Greqia mbylli pikën kufitare të Kapshticës.