Nga Jusuf Buxhovi
Nuk duhet fajësuar Serbia për propagandën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës me anën e librave, që vazhdon ta bëjë prej afër dy shekujsh, duke u përpjekur që ta përvetësojë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me ç’rast Kosova paraqitet “djep i historisë dhe kulturës së saj”. Kjo u pasqyrua më së miri me Pakon e Ahtisarit kur krishterimi mesjetar si një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore e shqiptarëve bashkë me monumentet e kultit iu dorëzua kishës ortodokse serbe dhe me këtë edhe “tapitë shpirtërore” që ajo po mundohet t’i kthejë në “tapi historike” për përfitime politike me të cilat po përballemi dhe do të përballohemi në vazhdimësi përderisa kjo të përcillet edhe me aksiomen politike të këtyre ditëve se “historia nuk ndryshohet”! Natyrisht, se ky peshqesh antihistorik dhe antikombëtar që iu bë Serbisë nga ata që e kishin gojën plot me përrallat për “Mollën e kuqe ” ndërkohë që vepronin për ta kthyer shtetin e posalindur në plaçkë, nuk do të ishte i mundur edhe pa heshtjen e institucioneve tona akademike dhe shkencore, qoftë pse janë pajtuar me këtë për intersa meskine, qoftë pse nuk kanë vepruar në planin shkencore që të nxirret në shesh e vërteta për Kosovën shqiptare nga antikiteti, mesjeta dhe deri te koha jonë në përputhje me të drejtën historike, etnike dhe jetësore që e ka në të gjitha fazat. Përkundrazi, historiografia institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni heshti karshi faktit kur me Dekleratën e Pavarësisë Kosova u shpall shtet me histori të mohuar, ndërsa vazhdoi të ruajë diskursin e plotë të historiografisë hegjemoniste serbomadhe të shekullit të kaluar dhe ikonografinë e saj për “Kosovën djep mesjetar serb” me “krajla” të shpifur – monumentet e të cilëve sot spikatën në Kosovë, që nënçmojnë dhe mohojnë kujtesën tonë historike edhe me aminin e “çlirimtarëve”!
Krahas kësaj, duhet fajësuar edhe politikën e Kosovës, sidomos qeverinë dhe diplomacinë e saj, e cila nuk ka treguar as më të voglin interesim që edhe ato vepra të disa autorëve të përkushtueshëm nga historiografia jashtë kornizave ideologjike dhe ato që merren me gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve nga viti 1877-1999, të botuara viteve të fundit, disa prej tyre të përkthyera në anglisht që në saje të mundit të madh të botuesve të tyre, kanë gjetur vend në universitetet amerikane dhe të vendeve të tjera, të spikaten edhe në zyrat e institucioneve shtetërore ose nëpër ambasadat tona në botë. Përkundrazi, vendin e librave të përkthyera në anglisht dhe me kredibilitet të pranuar shkencorë jashtë, me të cilat para burrështetasve dhe eminencës politike botërore me të cilën komunikohet, do të demonstrohej kujesa historike politikisht dhe institucionalisht, e kanë zënë çallmet patriotike dhe patetika folklorike! Pra, çka mbillet, korret!