PISA, Boçi: Nxënësit i kanë arritur vetë rezultatet, reforma e Ramës vetëm pengesë

13.01.2017 17:33:44

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi kritikuar reformën në arsim të bërë nga qeveria Rama. Sipas tij, reformat nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë “ngrirë” arsimin dhe i kanë grirë nga xhepat nxënësit, studentët e familjarët e tyre.

“Kryeministri ynë ende nuk e ka kuptuar që testi PISA nuk është kulla e PISA-s, nga maja virtuale e së cilës ai të mund t’i përqeshë nxënësit, mësuesit, studentët, profesorët, siç bëri sot në takimin me 15P-vjeçarët. PISA është testi që mat një investim shumëvjeçar arsimor e social.

Merita e rezultateve të tyre, nuk i takon as Ramës, as Linditës. I takon aftësive personale dhe zgjidhjeve programore e lëndore të ndërtuara që nga 2007. “Reformat” e Ramës nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë “ngrirë” arsimin dhe i kanë grirë nga xhepat nxënësit, studentët e familjarët e tyre.

Kanë atrofizuar mësimdhënien dhe kanë ulur ndjeshëm cilësinë. Kanë degraduar deri në pamundësi kryerje të procesit mësimor, institucionet arsimore, duke mos bërë asnjë investim në këto vite.

“Reforma” në Arsim e Ramës, ka prodhuar lumenj leku e interesi për klientelën e tij dhe lumenj tallje, përçmimi, arrogance zhvatje, për mësuesit, nxënësit, shkollat, pedagogët e Universitetet publike.

Rama që i “ka vënë drynin” shkollave, me paaftësinë totale të qeverisjes së tij, kërkoi sot të shfaqej si “çliruesi” i mendjeve të nxënësve!? As më pak e as më shumë , nga gaztori i të rriturve, sot u bë dhe gaztori i fëmijëve në këto ditë pushimi të detyruar”, tha Boçi.​