Serbia dëshiron të krijojë destabilitet deri në aneksim të veriut: duhet t’i përgjigjemi si Majk Xheksoni trupave ruse më 12 qershor 1999!

13.01.2017 17:32:03

Nga Rexhep Kastrati

Serbia po dëshmon se me të gjitha mënyrat po mundohet të krijojë sa më shumë incidente me Kosovën, duke e keqpërdoru maksimalisht faktin se Rezoluta 1244 është ende nu fuqi dhe Kosova ende nuk e ka përmbyllur procesin e shtetformimit. Pas angazhimeve të tërthorta për destabilizimin e Kosovës, duke provokuar kriza të brendshme nëpërmjet prostituta medietike e politike, si pjesë e strukturave mafiozo-politike dhe të agjenturave serbe dhe agjenturave të tjera kundërshqiptare, Serbia, në fund të vitit të kaluar paralajmëroi qëllimin e saj për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, që përkthyer në gjuhë të zakonshme do të thotë futje e vendit në një krizë të thellë, në përçarje të mëdha politike e shoqërore drejt një konflikti brendashqiptar, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe Ilir Deda, Albin Kurti etj. Pas arrestimit të Ramush Haradinajt, që ngjalli debate të mëdha deri në akuza politike shumë të rënda ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, Serbia ka vendosur të bëjë provokimin e radhës dhe mjaft serioz, duke dëshmuar kështu se ka për qëllim të eksalojë situatën në Kosovë, dhe duke dëshmuar se do të thellojë nivelin e provokimeve ndaj shtetit të Kosovës. Një tren që nuk duket të jetë një tren i zakonshëm, por një mjet me të cilin Serbia ka shprehur hegjemonizmin e saj në raport me Kosovën, lidhjet e saj me Kinën dhe me Rusinë, si dhe ka ndërlidhur fort Kishën me Shtetin, nuk është asgjë tjetër, pos një provokim për Kosovën, për bashkësinë ndërkombëtare dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Së këndejmi ky provokim nuk është thjesht për Kosovën, dhe ndaj Kosovës, por për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, përaktësisht aleatët tanë srategjikë dhe botën demokratike. Prandaj nuk duhet të jetë një çështje me të cilën duhet të merret vetëm Kosova dhe institucionet e saj, por me të duhet të ballafaqohet e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet që kanë garantuar pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërkohë, në planin e brendshëm, provokimi i nesërm i Serbisë me trenin e destabilitetit, bëhet edhe me qëlllim që t’i japë avantazh trysnisë për të ndërprerë negociatat e Brukselit, që është kërkesë kryesore e partive opozitare, por jo vetëm i tyre. Siç dihet, AAK nëpërmjet një rezolute kishte kërkuar që të ndërpriten negociatat e Brukselit, e jo thjesht lirimin e Ramush Haradinajt. Kështu ishte vepruar edhe me rezolutën për drejtorin e policisë, Thaçi dhe në shumë raste. Dhe kjo është ajo që do Serbia, sepse në këtë mënyrë i hapet rruga zgjidhjeve të tjera, siç është edhe krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë, apo edhe aneksimi i veriut të Kosovës. Dhe Serbia është duke bërë gjithçka që të ndodhin këto, ashtu siç ka bërë edhe gjatë dy viteve të fundit. Skenari ukrainas është skenari i mundshëm që Serbia po provon ta realizojë. Dhe për të realizuar këtë skenar, Serbia nuk mundet ndryshe pos duke nxitur shqiptarët të nëdrmarrin veprime të pamatura që do ta tensiononin situatën deri në konflikt të armatosur, për çka Serbia i ka grupet e gatshme edhe të shqipfolësve. Dhe provokimi i nesërm është një provokim që mund të nxisë reagime që nuk duhet të bëjnë shqiptarët, reagime që do të legjtimonin veprimet aneksioniste të Serbisë ndaj Kosovës.

Prandaj, edhe pse një provokim i rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj, si dhe për vetë shoqërinë tonë, shqiptarët dhe institucionet do të duhej të kishin parasysh se çdo veprim nën efektet emocionale  dhe të nxituara, do të kishte pasoja shumë të rënda. Për shtetin e Kosovës, për shoqërinë tonë, duhet të shërbejë si model, edhe mënyra e reagimit të komandantit të parë të KFOR-it, Majk Xhekson ndaj provokimit të madh të forcave ruse, të cilat arritën që të pushtonin aeruportin e Prishtinës jashtë mandatit të tij, si komandant, dhe të KFOR-it si forcë ndërkombëtare që më rezolutën 1244 të KS të OKB-së, duhej të garantonte paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe sigurinë nga ndonjë ndërhyrje e jashtme. Siç dihet, forca ruse, më 12 qershor 1999, kishin ardhur nga Bosnja dhe kishin arritur të pushtonin aeroportin e Prishtinës, duke i bërë kështu një provokim luftënxitës KFOR-it dhe NATO-s. Mirëpo, Majk Xhekson, për dallim nga shumë të tjerë që kishin kërkuar reagimin e ashpër ndaj forcave ruse, kishte zgjedhur rrugën tjetër, rrugën e shmangies së një konflikti ushtarak që do të mund të provokonte konflikt të përmasave globale. Kritikëve të tij, Majk Xhekson u ishte përgjigjur shkurt: në atë mënyrë kam shmangur Luftën e III Botërore. Sikurse Rusia atëherë, edhe Serbia tash e disa kohë po synon të provokojë një konflikt të përmasave të gjera me qëllim shkërmoçjen e shtetit të Kosovës si dhe një provokim për NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke e testuar edhe  një herë unitetin e tyre për të vepruar. Pra, sikurse Milosheviq që dikur kishte testuar unitetin e NATO-s për të intervenuar ndaj caqeve serbe, edhe tash Serbia po synon të provokojë unitetin që nuk është si dikur, pasi që edhe BE nuk është ajo si më parë, por edhe NATO ka probleme serioze, sidomos tash kur SHBA-të janë në fazën tranzitore presidenciale, kur edhe po shpresohet se është momenti i përshtatshëm për të ndërmarrë aksione të tilla.