Nga Rexhep Kastrati
Mbrojtësit e politikave rajonale të Edi Ramës gati sa nuk po shkrihen fare nga thirrjet e Edi Ramës në Beograd për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Po burrë i zoti ky Edi Rama. Syri tërrt nuk po i bën për Serbinë: po ia plas në fytyrë midis Beogradi! Por të njëjtit nuk marrin parasysh fare faktin se pas thirrjes së parë që Edi Rama ia bëri Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, përfunduan në një darkë me meze e raki, e ku u këndua vetëm serbisht, jo thjesht në kuptimin e këngëve që këndonte Daçiqi, por edhe në kuptimin e nënshtrimit të plotë të kryeministrit shqiptar. Dhe ky nënshtrim rezultoi me një marrëveshje për ndërtimin e autostradës Nish – Durrës që e anashkaloi Kosovën, edhe pse ajo autostradë do të kalojë nëpër territorin e saj. Dhe kjo është të shkelësh subjektivitetin rajonal të Kosovës, të shkelësh pavarësinë e saj. Dhe është e kotë, është një mashtrim, është një hipokrizi që në njërën anë të bësh thirrje që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, e në anën tjetër ta injorosh, ta shkelësh dhe ta anshkalosh atë. Thirrje u ka bërë edhe Milo Gjukanoviqi, bile ai ishte edhe më i drejtpërdrejtë: u tha serbëve pranone se e keni humbur Kosovën. Thirrje po i bëjnë Serbisë edhe shtete të tjera që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Bile disa shtete po ia vënë kusht Serbisë që ta njohë Kosovën, nëse do të integrohet në BE. Kapitulli 35 i BE-së, edhe pse nuk thotë drejtpërdrejt që Serbia ta njohë Kosovën, megjithatë e detyron të sillet me të si me një shtet të pavarur. Pra, Edi Rama nuk ka thënë asgjë të rëndësishme për Kosovën. Kurse po bën shumëçka që po e dëmton Kosovën: përveç marrëveshjes që sapo përmenda, është edhe marrëveshja gojore që ka arritur me Vuçiqin për furnizimin e shkollave në Kosovë Lindore me tekste shkollore nga lëndët bazike siç janë gjuha, letrësia, historia, gjeografia, ndërkohë që janë rreth 100 mijë libra që Ministria e Arsimit e Kosovës ia ka dhuruar shkollave shqipe atje që janë bllokuar. Në anën tjetër, Edi Rama merret vesh për themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Serbi, ndërkohë që nuk e ka një të tillë me Kosovën. Politika e re, e Edi Ramës në rajon, nuk është politika e re, por politika e inferioritetit të shtetit shqiptar ndaj Serbisë. Dhe kjo politikë inferiore ia jep luksin kryeminstrit të Serbisë të thotë se porti më i afërt për Serbinë do të jetë Durrësi, ani që ndërmjet saj dhe Durrësit është Prishtina, është Gjilani, është Kosova Lindore, është Prizreni, është Peja, është Gjakova, është Deçani, është Juniku, është Lipjani, është Ferizaji, është Shtimja, është Malisheva, është Suhareka, është Rahoveci, është Mitrovica, është Vushtrria, është Skënderaj, është Vitia, dhe janë gjithë ato vendbanime që së bashku përbëjnë shtetin e Kosovës. Dhe Serbia e ka problemin se Mali i Zi ka një Qeveri që nuk sillet servile dhe inferiore ndaj Serbisë, por ka një Qeveri që ka krijuar distancë gjeopolitike, distancë oreintimi rajonal dhe global. Dhe këtë e ka dëshmuar edhe në raport me faktorin shqiptar në rajon, pra edhe në raport me Kosovën. Kurse Edi Rama, sillet si një servil dhe i ekzaltuar për vizitat dhe pritjet që po i bëhen në Beograd, nga të cilat vizita po arrihen marrëveshje që injorojnë Kosovën dhe subjektivitetin e saj rajonal dhe më gjerë. E Serbisë po i intereson pikërisht kjo: krijimi i një linje komunikimi Beograd – Tiranë, duke e injoruar Prishtinën. Dhe Edi Rama po ia bën të mundura të gjitha këto, në vend se çdo kontakt, çdo përpjekje të Serbisë në rajon dhe më gjerë ta kushtëzojë me raportet e saj me shtetin e Kosovës. Dhe ky shtet i Kosovës, përveçse ka territorin e vet, pjesë e të cilit dikur ka qenë edhe Kosova Lindore, ka edhe institucionet e saj: Presidentin, Kryeministrin me Qeveri, Kuvendin, kryetarët e komunave, qeveritë komunale dhe institucione të tjera. Mirëp, Edi Rama ka vazhduar dhe po vazhdon politikën e tij të re, që në fakt është politikë e vjetër, të injorimit të shqiptarëve në rajon dhe në mënyrë të veçantë të shtetit të Kosovës, pa u lodh fare të sqarojë pse gjithë ky injorimi Kosovës, pse gjithë këto marrëveshje me Serbinë, pse nuk ka marrëveshje të ngjashme me Kosovën? Dhe edhe një marrëveshje që ka me Kosovën, atë të iterkonjuksionit të energjisë elektrike, të cilën ia bllokon po ajo Serbi, as nuk i ka shkuar mendja t’i thotë: mos e blloko! Kur jemi këtu: pse Edi Rama nuk ka kushtëzuar marrëveshjet me Serbinë me mosbllokimin e marrëveshjes së interkonjuksionit që ka me Kosovën? Dhe një kryeminsitër i shtetit shqiptar që nuk është në gjendje t’i dalë zot një marrëveshje që e ka nëshkruar vetë, dhe mbi bllokimin e saj nga Serbia, nënshkruan marrëveshje të tjera me të, me të cilat injoron Kosovën dhe injoron marrëveshjet që ka nënshkruar me të. Kjo nuk është politikë e kujdesit ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar, as nuk ka të bëjë me të drejtën kuhstetuese për këtë, por është politikë e nënshtrimit, është politikë e inferioritetit, dhe është politikë e cenimit të interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon. Dhe është politikë që është nën nivelin e qëndrimit zyrtar të BE-së, të SHBA-ve dhe të shteteve të tjera aleate ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë, të cilat raportet e Beogradit me këto institucione dhe shtete i kushtëzojnë me Kosovën. E Edi Rama nuk qe i zoti të mbronte as marrëveshjen e interkonjeksionit me Kosovën që e bllokon Beogradi, e lë më të kushtëzojë marrëdhëniet dhe marëveshjet me të, me ndryshimin e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.









































