Bujar Dugolli e quan të drejtë interesimin e Shqipërisë për Kosovën

17.10.2016 10:11:32

Historiani Bujar Dugolli ka folur për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi dhe për deklarimet e tij për Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Dugolli e ka çmuar lart vizitën e kryeministrit shqiptar në Serbi dhe kërkesën e tij për njohjen e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se përderisa Serbia vazhdon ta ketë këtë lloj qasje ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj, është e pamundur t’i iket debatit për Kosovën.

 “Raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve kanë impakte edhe në çështjen e Kosovës dhe trajtimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Prandaj është shumë normale që në këtë rast kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të interesohet për çështjen e Kosovës, sepse relaksimi i marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Serbisë e ndihmon edhe çështjen e Kosovës, si dhe kuptimin e realitetit të ri që sot ka Kosova. Këtë realitet ende nuk po arrin ta kuptojë Beogradi”, është shprehur Dugolli, duke shtuar se kërkesa e Ramës për njohje të pavarësisë nuk ka të bëjë me përzierje dhe tentim të mënjanimit të rolit të Prishtinës karshi Serbisë.

Në këtë kontekst, ai i ka quajtur të panevojshme reagimet e zyrtarëve të Kosovës ndaj kryeministrit Rama.

“Kërkesa e kryeministrit Rama, që Serbia ta njohë Kosovën, dhe debati që ka ngjallur zemërim tek politika serbe për çështjen e miratimit të Ligjit për ‘Trepçën’, nuk është përzierje në punët e brendshme të Kosovës. Rama ka shprehur një opinion si burrështetas shqiptar dhe kjo nuk ka të bëjë me përzierje dhe tentim të mënjanimit të rolit të Prishtinës as në rast të bisedimeve dypalëshe, por as në çështje të tjera”, ka theksuar Dugolli.

Sipas tij, duhet të analizohen më mirë këto reagime meqë Shqipëria është e dobishme në procesin e Kosovës.

 “Relaksimi i raporteve Shqipëri – Serbi nuk e dëmton çështjen e Kosovës, përkundrazi e ndihmon atë. Nëse Shqipëria kërkon nga Serbia që ta njohë Kosovën është veprim i duhur. Prandaj, përveç kryeministrit Rama, këtë duhet ta bëjnë kryeparlamentari Meta, presidenti Nishani si dhe partitë opozitare, sepse Serbia duhet ta kuptojë realitetin në mënyrë që të jetë e dobishme në Ballkan për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit”, ka thënë Dugolli, i cili ka shtuar se po të mos fliste kryeministri Rama për Kosovën, atëherë shumëkush do t’ia shihte për të madhe pse ai e anashkaloi çështjen e Kosovës. “Po të ndodhte një gjë e tillë, pa dyshim se do të merrte shumë kritika”, ka theksuar Dugolli.