Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç: Raportet mes serbëve e shqiptarëve të zgjidhen përgjithmonë  

27.09.2017 12:47:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pa vendimin e Serbisë nuk ndodh asgjë në raport me Kosovën, duke iu përgjigjur pyetjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin me Kosovën dhe hodhi poshtë pretendimet se Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogerini, kishte përgatitur tashmë tekstin e asaj marrëveshjeje.

“Nuk ka një marrëveshje të tillë të formuluar dhe unë me ata njerëz takohem shpesh”, ka thënë Vuçiç në televizionin publik serb.

Ai ka shtuar se Kosova nuk do të bëhet pjesë e OKB-së përveç nëse Serbia do të ishte e kënaqur në ndonjë formë, por nuk do të jetë e kënaqur me ata që i thonë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Të mos jetojmë në të kaluarën mitike, por as në gënjeshtra se i kemi humbur të gjitha në Kosovë e Metohi”, ka thënë Vuçiç, i cili është në favor të një kompromisi sepse, siç thotë ai, “është me rëndësi që raportet mes serbëve e shqiptarëve të zgjidhen njëherë e përgjithmonë”.